Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë për protestën që do të mbahet sot në Prishtinë nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta do të nisë në orën 16:00 në sheshin “Skënderbeu”, nën moton “Jo në emrin tim”.
Sipas Policisë, njësi të ndryshme policore do të jenë të angazhuara para, gjatë dhe pas protestës, me qëllim të garantimit të rendit dhe qetësisë publike, si dhe të mbarëvajtjes së tubimit, transmeton “Bota sot”.
Për shkak të protestës dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, nga ora 15:00 priten kufizime dhe ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa nga rrugët e prekura.
Policia ka bërë të ditur se përkohësisht do të mbyllen për qarkullim rrugët “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymeri”.
Varësisht nga zhvillimet dhe nevojat operative, mund të ketë ndërprerje të përkohshme edhe në rrugë të tjera.
Për menaxhimin e trafikut, Policia do të angazhojë edhe njësi patrulluese, të cilat, në rast nevoje, do të bëjnë riorientimin e qarkullimit në rrugë alternative.
Policia e Kosovës ka theksuar se e njeh të drejtën e qytetarëve për shprehje të lirë përmes tubimeve dhe protestave të qeta.
Njëkohësisht, u është bërë apel pjesëmarrësve që të respektojnë ligjet dhe rregullat e trafikut rrugor, në mënyrë që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
