Aktuale

Pse dështuan katër operacionet e mëparshme? Misteret pas vrasjes së efektivit në Maliq

Për nëntë vite jetoi në arrati. U shpëtoi katër operacioneve të forcave speciale RENEA, e disa të tjerave nga Policia lokale.

Një ish-ushtarak i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, i dënuar në mungesë me 10 vite burg. Dhe sot, në një fshat të Maliqit, historia e gjatë e kërkimit të tij mori fund në mënyrën më tragjike të mundshme.

Një operacion policor që kishte për qëllim arrestimin e të shumëkërkuarit, u shndërrua brenda pak minutash në një përballje të armatosur. Plumbat nuk kursyen askënd. Një efektiv i Forcave “Shqiponja” të Policisë së Korçës humbi jetën në krye të detyrës. Kolegu i tij u plagos rëndë.

Ndërsa edhe vetë personi në kërkim u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit që tronditi zonën dhe riktheu në qendër të debatit pyetjet mbi mënyrën se si organizohen operacionet kundër personave me rrezikshmëri të lartë.

Si mundi ky person të qëndronte për nëntë vite larg prangave? Pse katër operacione të mëparshme të RENEA-s nuk arritën ta neutralizonin?

A ishte vlerësuar siç duhet rreziku që paraqiste? Dhe mbi të gjitha, a mund të ishte shmangur humbja e jetës së një punonjësi policie? Një histori që nis me një kërkim nëntëvjeçar dhe përfundon me një uniformë të mbuluar nga flamuri. Kjo është ngjarja që tronditi Shqipërinë.

OPERACIONI FATAL

Pasditen e datës 3 qershor 2026, Policia e Korçës ka marrë një sinjalizim nga një banor i zonës, se në fshatin Lozhan të Maliqit, ka parë shtetasin Violand Braçellari. Ky person, ishte në kërkim prej 9 vitesh dhe Policia nuk kishte të dhëna të sakta për vendndodhjen e tij. Informacioni është vlerësuar maksimalisht dhe është formuar grupi, duke bërë edhe një plan të shpejtë operacional, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e tij. Ndërkohë, Policia ka mbajtur vazhdimisht kontakt me personin që kishte dhënë informacion, në mënyrë që t’i vinte në dijeni për lëvizjet e tij. Drejt adresës së dhënë janë nisur fillimisht forcat e Komisariatit të Maliqit e më pas edhe ato të Komisariatit të Korçës, forcat “Shqiponja”, si dhe titullarët, përfshirë edhe drejtorin e Policisë së Korçës e zëvendësdrejtorët.

Të paktën siç deklaroi edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skërnder Hita, në operacion kanë marrë pjesë rreth 40 forca policore.

Fillimisht personi në kërkim është mbajtur në vëzhgim derisa është futur në stanin e tij, ku qëndronte bashkë me të ëmën, në malin Boden, që ndodhet rreth një orë larg fshatin Lozhan, ku ai ishte konstatuar në fillim. Operacioni ka nisur rreth orës 4 të mëngjesit të datës 4 qershor 2026 dhe rreth orës 07:00, forcat e Policisë që kishin rrethuar objektin ku ai ndodhej, kanë nisur t’i bëjnë thirrje që të dorëzohet.

Violand Braçellari nuk i është bindur thirrjes për t’u dorëzuar, përkundrazi, me një armë kallashnikov ka hapur zjarr në drejtim të forcave të Policisë. Për pasojë ka mbetur i vrarë efektivi Enea Mekolli, 34 vjeç, efektiv i “Shqiponjave”. Në këtë moment edhe forcat e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë të kërkuarit. Për disa momente ka pasur shkëmbim zjarri, duke u qëlluar nga të dy krahët. Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i plagosur rëndë edhe një tjetër efektiv i “Shqiponjave”, Edison Adri, 36 vjeç, por edhe vetë autori i ngjarjes, 43-vjeçari Violand Braçellari. Në fund ai është arritur të arrestohet.

Policia e Korçës

Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq. Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor Edison Adri, 36 vjeç, të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë. Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

Për shkak të terrenit të vështirë malor, dhe largësisë nga qendra më e afërt shëndetësore, drejt vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë, që ka bërë transportin e të plagosurve, drejt Spitalit të Korçës. Më pas efektivi i plagosur është transportuar për mjekim më të specializuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Efektivi Edison Adri, paraqitet në gjendje kritike për jetën dhe është dërguar i intubuar në spital, për shkak të një plage në qafë dhe një tjetre në nofull. Ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes, është dërguar me plagë në bark dhe në gjymtyrë dhe po ashtu pas mjekimit të parë në Spitalin e Korçës, u transportua në Spitalin e Traumës.

Nga ana tjetër, grupi hetimor ka vijuar me veprimet në vendin e ngjarjes, ku brenda në stanin, në të cilin ishte fshehur i kërkuari Braçellari, është gjetur edhe nëna e tij. Ajo është shoqëruar për të dhënë shpjegime në Policinë e Korçës, si dëshmitarja e vetme e përplasjes me armë zjarri. Është bërë kontrolli i të gjithë zonës dhe ambienteve të tjera përreth vendngjarjes, nisur edhe nga precedentët e autorit në drejtim të kultivimit të narkotikëve, por nuk është konstatuar asgjë e paligjshme, vetëm bagëtitë që ai mbante bashkë me të ëmën. Megjithatë hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse Violand Braçellari e përdorte stanin në malin Boden vetëm për strehim dhe për t’iu shmangur drejtësisë, apo edhe për qëllime të tjera kriminale.

AUTORI I NGJARJES

Violand Braçellari, 43 vjeç, autor i dyshuar i vrasjes së efektivit të “Shqiponjave” në Maliq dhe plagosjes me kallashnikov të efektivit tjetër rezulton një person me precedentë të theksuar kriminal që prej vitit 2011.

Violand Braçellari në vitin 2013 është dënuar me 3 vite e 4 muaj për kultivim narkotikësh dhe vetëm dy vite më vonë u ndalua sërish po për të njëjtën akuzë. Më 29 shtator të vitit 2015 pas informacioneve të marra asokohe nga Policia e Korçës se dy automjete të ngarkuara me bimë narkotike po qarkullonin në vendin e quajtur “Çezma e Senishtit”, Policia ndaloi Braçellarin dhe disa persona të tjerë.

Gjatë kontrollit të një automjeti tip “Mercedes Benz” ku ndodhej edhe Violand Braçellari u gjetën qese plastike dhe doreza të cilat hetuesit i konsideruan si sende që mund të përdoreshin në aktivitetin e përpunimit dhe paketimit të lëndës narkotike.

Lidhur me këtë çështje, pas të cilës dyshohej se fshiheshin edhe persona të tjerë të paidentifikuar, Policia ushtroi kontrolle në disa banesa përfshirë dhe banesën e Violand Braçellarit, ku u gjetën 10.8 gramë mbetje të thara cannabis sativa dhe një kalorifer elektrik. Këto mbetje të lëndës narkotike u konsideruan nga organi i akuzës si pjesë e një aktiviteti më të gjerë kriminal, që më pas do të provohej dhe nga gjetjet në telefonin e tij.

Dosja e Prokurorisë

Nga kontrolli i ushtruar në banesë, e cila është në pronësi të Shefqet Braçellarit, por në posedim të të pandehurit Violand Braçellari dhe familjes së tij, është konstatuar se në katin e dytë të saj dhe pikërisht në një dhomë në anën perëndimore, ndodhej një kalorifer dhe në sipërfaqen poshtë dyshemesë së kësaj dhome u gjetën mbetje bimësh të thata me aromë dhe ngjyrë të ngjashme me atë të bimës narkotike, të llojit cannabis sattiva. Këto sende janë marrë dhe janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale nga ana e policisë gjyqësore. Nga peshimi i sasisë së bimës së gjetur në vendin e mësipërm, ka rezultuar se ajo peshonte 10.8 gramë. Nga akti i ekspertimit kimik, datë 24.05.2026, ka rezultuar se ky material bimor është përzierje pjesë bime me cannabis, produkt herbal bime cannabis sattiva. Nga këqyrja e kësaj banese ka rezultuar se ajo furnizohej me energji elektrike, me të cilën ndizej kaloriferi, nga banesa në posedim të të pandehurit dhe familjes së tij, në pronësi të Mitat Braçes.

Nga telefoni celular “Black Berry”, i sekuestruar nga Policia, dolën në pah komunikime me dy persona të regjistruar me emrat “Sandri” dhe “Toni”. Sipas dosjes hetimore në këtë aparat celular përveç bisedave që autori bënte me personat e tjerë për kontrollin e bimëve, procesin e tharjes, transportin dhe peshimin e lëndës narkotike u gjetën edhe fotografi që provonin aktivitetin e tij të jashtëligjshëm.

Në lidhje me këtë ka dhënë deklarime për Prokurorinë oficeri i policisë gjyqësore, njëkohësisht ish-shefi i Antidrogës.

Dosja e Prokurorisë

Në video të personit kishte pamje filmike që ishin të ngarkuar kafshët e buta me lëndë narkotike. Tek një banesë tjetër mbanin bagëti, nuk kemi gjetur gjë dhe tek një banesë tjetër përsëri kishte bagëti dhe një nga pjesëtarët e grupit ka konstatuar se ishte një kalorifer dhe kishte mbetje të lëndëve narkotike. Nuk bëmë kontroll specifik duke kaluar nga një ndërtesë në tjetrën, pasi mendonim se do të kishte sasi të madhe lënde narkotike, bazuar tek fotot e celularit. Eksperti ka ardhur më pas. Babai nuk ka qenë, vetëm nëna dhe kryeplaku. Të pandehurin nuk e kam njohur, hera e dytë që e shoh. Informacionin për kontrollin e banesës ma komunikuar zv.drejtori. Kemi shkuar tek kryeplaku dhe më pas tek banesa e Sabriut, aty afër. Aty gjetëm prindërit. Tek banesa e tyre nuk gjetëm gjë. Kemi hartuar vetëm një procesverbal kontrolli për të gjitha. Kur u gjet lënda narkotike, kanë qenë të gjithë personat që kanë firmosur, përveç babait.

Sipas dosjes hetimore autori pasi kishte kultivuar lëndën narkotike e transportonte me kafshë për të vijuar me tharjen dhe paketimin e në fund shitjen. Gjykata e Korçës e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim, vendim që u la në fuqi nga Apeli dhe më pas edhe nga Gjykata e Lartë në janar të vitit 2024. Por vendimi ndaj tij është dhënë në mungesë, pasi Gjykata e Apelit në Korçë i kishte ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje” dhe më pas që nga ajo kohë ai i ishte shmangur drejtësisë. Emri i tij rezulton i përfshirë edhe në procedime të tjera penale. Në vitin 2024 ai u mor i pandehur për plagosje të lehtë me dashje, ndërsa në fillim të vitit 2026 Gjykata e Korçës urdhëroi njoftimin e tij për një proces gjyqësor, pasi nuk ishte gjetur në adresën e deklaruar të banimit.

Në përfundim, duke mbajtur në konsideratë të gjitha provat, rrethanat dhe dëshmitë, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, më 19 dhjetor 2017, vendosi të shpallë fajtor Violand Braçellarin dhe ai u dënua me 10 vjet burgim.

Vendimi i Gjykatës

Duke marrë në konsideratë qëndrimin e tij konsistent mohues ndaj veprës penale; faktin se pavarësisht sasisë së vogël të lëndës narkotike të gjetur, sasia e saj ka qenë e konsiderueshmë, por nuk është zbuluar se ku ndodhej; faktin se kjo vepër penale ka një përhapje mjaft të lartë, etj. Nisur nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se i pandehuri ndodhet në pozita rënduese. Duke vlerësuar në kompleksitet rrezikshmërinë shoqërore të të pandehurit, rrezikshmërinë e veprës penale, rrethanat e mësipërme, që vlerësohen si të rëndësishme për individualizimin e dënimit, masën e dënimit që parashikon dispozita 7-15 vjet burgim, Gjykata vlerëson se i pandehuri duhet të dënohet me 10 vjet burgim për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Vuajtja e dënimit do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme dhe do të fillojë nga data e ekzekutimit të këtij vendimi, duke u përllogaritur edhe periudha e paraburgimit të vuajtur prej të pandehurit gjatë hetimeve paraprake.

Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Korçë, më 17 korrik 2018. Kundër këtij vendimi ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, i pandehuri Violand Braçellari, i cili ndër të tjera pretendon se:

Avokati i Violand Braçellarit

Është shpjeguar se aparati telefonik është blerë nga i pandehuri i përdoruar dhe ky i pandehur jo vetëm që nuk e ka ditur për ekzistencën e atyre pamjeve në atë aparat telefonik, por as dhe nuk di ta përdorë atë aparat, i cili është jo i zakonshëm dhe jo lehtësisht i përdorshëm. Por edhe sikur ai të kishte dijeni për ato pamje, për aq kohë sa nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se ato pamje janë filmimi nga vetë ai celular dhe jo të dërguara në atë celular nga njëra anë dhe nga ana tjetër për aq kohë sa aty nuk ka asnjë shfaqje të këtij të pandehuri në ato pamje, si mundet që kjo e dhënë të përdoret si provë për ngritjen e një akuze të tillë që nuk lidhet aspak me ato pamje, pasi bëhet fjalë në rastin konkret që ky i pandehur nuk akuzohet për lëndën narkotike që evidentohet në ato pamje por për një sasi prej 10 gram mbetje të gjetura në një banesë të braktisur në fshatin Lozhan, por në pronësi të shtetasit Shefqet Braçellari. Pra lehtësisht rezulton se në gjykim, pala akuzatore nuk paraqiti asnjë provë logjike, procedurialisht të vlefshme në funksion të vërtetimit të akuzës që vetë ka ngritur ndaj këtij të pandehuri. Procesverbali i kontrollit është firmosur në mënyrë abuzive nga persona të cilët nuk kanë marrë pjesë në kontroll siç ishte dhe babai i të pandehurit shtetasi Luan Braçellari, i cili objektivisht nuk mund të merrte pjesë, për shkak së ai është një njeri pa këmbë i cili nuk mund të ecë.

Por me gjithë pretendimet e palës mbrojtëse, Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e Violand Braçellarit dhe me një vendim të datës 25 janar 2024 ka lënë në fuqi vendimin e Apelit.

E megjithatë, i akuzuari i është shmangur vazhdimisht drejtësisë dhe ka vijuar të qëndrojë në arrati për afro 9 vite, që nga momenti kur Apeli i Korçës i kishte ndryshuar masën e sigurisë, duke e lënë në “detyrim paraqitje”, në vitin 2017.

OPERACIONET E DËSHTUARA

Violand Braçellari, që nga momentet e para që i është shmangur drejtësisë, nga vetë vepra penale për të cilën akuzohej, por edhe e shkuara e tij si ish-ushtarak profesionist, është vlerësuar nga Policia e Korçës si person me rrezikshmëri të lartë. Për arrestimin e tij dhe vënien para drejtësisë, janë zhvilluar disa operacione Policore, të cilat në fakt kanë dështuar. Madje rezulton që 4 prej këtyre operacioneve janë organizuar nga forcat speciale RENEA. Për shkak të mosfinalizimit të tyre, të gjitha këto aksione nuk janë bërë publike, por të gjitha strukturat Policore, ato vendore dhe qendrore kanë qenë në dijeni për dështimet e tyre. Faktin e zhvillimit të këtyre operacioneve e konfirmoi edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita Gjatë konferencës për shtyp, megjithatë ai disa herë artikuloi faktin se për aksionin e datës 4 qershor nuk kishte marrë dijeni nga Drejtoria Vendore e Policisë së Korçës.

Pas ngjarjes së rëndë, ku një efektiv mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos, tashmë ka nisur një analizë e thelluar, jo vetëm për të kuptuar se çfarë shkoi keq në operacionin e fundit, por edhe në ato të mëparshmet kur ai nuk u arrit të arrestohej. Një analizë për të kuptuar se përse ato operacione nuk u finalizuan, çfarë e bënte objektivin kaq të vështirë, nëse ai kishte informacion të brendshëm apo edhe nëse ishte vlerësuar saktë niveli i rrezikut që ai paraqiste.

Tashmë ka nisur një hetim disiplinor nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, për faktin e kushteve se si u vendos që operacioni të kryhej nga Drejtoria e Policisë Korçë, pa sinjalizuar drejtorin e Përgjithshëm, apo edhe atë të Forcës Kombëtare të Sigurisë, siç ndodh në operacione që vlerësohen me risk të lartë. Por nga ana tjetër edhe një hetim penal nga ana e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Korçës, për të përcaktuar nëse ka përgjegjësi ligjore në lidhje me këtë që ndodhi.

Në operacione të ngjashme, kur objektivi konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, janë forcat speciale RENEA ato që ngarkohen me detyrë nga Drejtoria e Forcës Kombëtare të Sigurisë për të zhvilluar operacionin. Protokolli e përcakton qartë ndërhyrjen. Drejtori i Policisë Vendore i bën kërkesë drejtorit të Forcës Kombëtare të Sigurisë, ky i fundit urdhëron komandantin e forcave speciale RENEA dhe bëhet gati gjithçka për nisjen e operacionit. Mund të marrin pjesë një ose dy njësi, që kanë në përbërje negociatorë, snajperistë dhe forca me pajisjet e nevojshme që mbajnë nën kontroll situatën, qëndrojnë në kontakt për orë të tëra me personin e rrethuar dhe më pas ndërhyjnë. Historia ka treguar se operacione të tilla kanë qenë të suksesshme edhe për shkak të taktikave, eksperiencës dhe praktikës që ndjek RENEA. Ndodh që të ketë dhe pasoja por jo nga radhët e Policisë. Megjithatë, në operacionin e 4 qershorit, nuk u ndoq kjo praktikë. Motivet priten të sqarohen në përfundim të hetimit dhe analizës që tashmë po zhvillohet.

Hetimet për ngjarjen e rëndë në Lozhan, ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli dhe u plagos Edison Adri, kanë zbuluar në stanin ku fshihej Violandi Braçellari 3 armë zjarri. Kallashnikovin, me të cilën qëlloi mbi Policinë, një pushkë model 56 dhe një çifte. Nga kontrollet nuk është gjetur municion, çka bën të besohet se Braçellari e ka përdorur të gjithë arsenalin që posedonte për të qëlluar mbi efektivët e përfshirë në operacionin për kapjen e tij. Në vendin ku fshihej i shumëkërkuari, policia ka gjetur edhe një radio policie dhe, gjatë zhvillimit të operacionit, efektivët kanë fikur radiot e tyre për të mos interferuar me atë të Braçellarit.

EFEKTIVI I VRARË

Për familjen Mekolli, vrasja në krye të detyrës e 34-vjeçarit Enea Mekolli, është tragjedia e dytë që iu ndodh brenda 10 viteve. Në vitin 2016, vëllai i Eneas, Edison Mekolli, humbi betejën e një sëmundje të rëndë, kur ishte vetëm 25 vjeç. Edhe ai ishte efektiv Policie. Madje sipas të afërmve, edhe Enea iu bashkua radhëve të uniformave blu, për të plotësuar dëshirën e vëllait të tij. Kjo ishte edhe arsyeja, pse familja vendosi që pavarësisht nisjes së menjëhershme të procedurave për ta shpallur “Dëshmor të Atdheut”, djali i tyre të varrosej pranë të vëllait, në varrezat e fshatit të tij të lindjes, në Blacë të Pogradecit.

Më 5 qershor Enea Mekolli, efektivi 34-vjeçar i Policisë së Shtetit, rënë në krye të detyrës, u përcoll për në banesën e fundit mes lotëve e dhimbjes.

Homazhet u zhvilluan pranë Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, ku morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, drejtues të lartë të policisë, autoritete vendore, kolegë dhe qindra qytetarë.

Familjarët nuk i fshehën pakënaqësitë për operacionin e zhvilluar ku u vra Enea Mekolli. Në prani të Presidentit Bajram Begaj, xhaxhai i efektivit të vrarë shpërtheu në lot dhe kërkoi përgjegjësi për mënyrën si ishte organizuar operacioni.

Në homazhe ranë në sy dhjetëra efektivë të cilët qëndronin të rreshtuar në heshtje, shumë prej tyre nuk i mbanin lotët për kolegun e vrarë në në krye të detyrës detyrë.

Të afërmit e përshkruajnë Enea Mekollin si djalë të përkushtuar ndaj familjes, besimtar, korrekt në detyrë. Fillimisht kishte shërbyer në Policinë Rrugore, ndërsa prej rreth dy vitesh ishte pjesë e forcës së posaçme “Shqiponja”. Enea Mekolli la pas prindërit, motrën, bashkëshorten dhe djalin e mitur, vetëm 9-muajsh. Megjithëse protokolli parashikonte të prehej në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, dëshira e familjes ishte që dy vëllezërit të qëndronin pranë njëri-tjetrit edhe pas vdekjes.

Nën një atmosferë dhimbjeje dhe respekti të thellë, qyteti i Pogradecit i dha lamtumirën e fundit Dëshmorit të Atdheut, efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli. Qindra qytetarë, familjarë, miq, kolegë dhe banorë të zonës zhvilluan homazhe në Qendrën Kulturore të Pogradecit, duke nderuar sakrificën e policit që ra në shërbim të rendit dhe sigurisë së qytetarëve. Arkëmorti i mbuluar me flamurin kombëtar u shoqërua nga nderimet e kolegëve të tij, ndërsa pjesëmarrja e jashtëzakonshme e qytetarëve dëshmoi respektin dhe mirënjohjen për sakrificën e Enea Mekollit. Për aktin e tij të lartë heroik të shërbimit dhe sakrificës, ai është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Në fund, përtej debateve mbi mënyrën si u organizua operacioni, përtej pyetjeve që presin përgjigje nga hetimet dhe përtej profilit të personit që kërkohej prej vitesh, mbetet një fakt i pamohueshëm.

Një tjetër punonjës policie humbi jetën në krye të detyrës.

Dhe kjo është ana më e rëndë e uniformës. Një uniformë që çdo ditë përballet me rrezikun, shpesh larg vëmendjes së publikut, në operacione që nuk bëhen kurrë lajm dhe në përballje ku ndarja mes jetës dhe vdekjes mund të zgjasë vetëm pak sekonda.

Historia e Policisë së Shtetit është e mbushur me emra efektivësh, që kanë paguar çmimin më të lartë në shërbim të qytetarëve. Deri më sot, 232 efektivë të Policisë së Shtetit janë shpallur Dëshmorë të Atdheut, pasi kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës apo për shkak të saj.

Pas çdo numri qëndron një histori. Një familje. Një jetë e ndërprerë. Një sakrificë që nuk duhet harruar.

Ngjarja e fundit në Maliq i shtohet kësaj historie dhimbjeje, por edhe historie shërbimi e përkushtimi. Ajo na kujton se siguria që gëzojmë çdo ditë ka një kosto. Se pas çdo operacioni, pas çdo arrestimi dhe pas çdo përballjeje me krimin, janë njerëz që vendosin jetën e tyre në rrezik për të mbrojtur jetën e të tjerëve.

Hetimet do të zbardhin përgjegjësitë, do të analizojnë vendimet operacionale dhe do të japin përgjigje për shumë nga pyetjet që ngjarja fundit ka ngritur.

Por një gjë është e sigurt.

Një familje ka humbur njeriun e saj të dashur.

Policia e Shtetit ka humbur një koleg.

Dhe Shqipëria ka humbur një tjetër shërbëtor të ligjit në krye të detyrës.

Në respekt të të gjithë atyre që nuk u kthyen më në shtëpi pas një shërbimi, dhe në nderim të 232 Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, kujtojmë se sakrifica e tyre mbetet themeli mbi të cilin ngrihet besimi te ligji, rendi dhe siguria e qytetarëve./Gjerat Tona

Të Ngjashme