Lajme

Armë ilegale në Zubin Potok, policia sekuestron arsenal armësh – këto janë detajet

Policia e Kosovës ka sekuestruar disa armë dhe municion në një hambar në fshatin Kleçkë, në komunën e Zubin Potokut, pas informacioneve të pranuara nga qytetarët.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë të Veriut kanë ndërmarrë veprime pas informacioneve për dyshime se në këtë lokacion mund të kishte armë dhe mjete të tjera ilegale, përcjell Bota sot.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar katër pushkë, përfshirë një armë automatike, një revole të tipit TT me një karikator të zbrazët, 33 fishekë për armë të gjata, një këllëf me optikë për armë të gjatë dhe dy karikatorë të zbrazët.

Lidhur me rastin, deri më tani nuk ka persona të arrestuar. Policia ka bërë të ditur se të gjitha veprimet janë paraqitur te Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka inkurajuar që të vazhdojnë të raportojnë rastet e dyshimta që mund të rrezikojnë sigurinë publike.

Qytetarët mund të raportojnë informacione të tilla në numrin emergjent 192.

Të Ngjashme