Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Publikohen pamjet e atentatit në Shkodër

Makina shpërthen në flakë nga plumbat

Publikohen pamjet e atentatit të së martës së shkuar në fshatin Grudë e Re në Shkodër, ku mbetën të plagosur Gjon Nika dhe kunati i tij 28-vjeçar Gjergj Ndërshtiqaj, ky i fundit student në Akademinë e Sigurisë. Pamjet janë regjistruar nga një kamër sigurie dhe në to shfaqet makina me të cilën udhëtonin Nika dhe Ndërshtiqaj, e cila bie pre e një breshërie armësh.

Siç edhe shihet 30-vjeçari Nikaj dhe 28-vjeçari Ndërshtiqaj arrijnë të dalin prej saj, teksa njëri largohet me vrap, ndërsa tjetri fshihet pas pjesës së përparme të makinës.

Por nga breshëria e plumbave makina shpërthen në flakë, ndërsa personi që fshihej prej saj arrin të largohet në momentet e fundit, por duke mbetur i plagosur.

Pas atentatit edhe autorët në përpjekje për të humbur gjurmët dogjën automjetin e tyre tip Renault, shumë pranë vendit të ngjarjes.

Nga hetimet e deritanishme policia dyshon se në atentat morën pjesë 4 persona, por vetëm 3 prej tyre kanë hapur zjarr me kallashnikov.

Në dëshminë e tyre para hetuesve dy të plagosurit kanë deklaruar se dëgjuan të shtënat sapo zbritën nga makina dhe se për shkak të errësirës nuk kanë arritur të shohin se cilët ishin autorët. Ata kanë mohuar të kenë konflikte me persona të tjerë duke mos ndihmuar në zbardhjen e motiveve të ngjarjes.