Aktuale

Publikohet video, me kallashnikov në dorë, momenti i grabitjes së argjendarisë në Kamëz! Autorët arratisen me motor

Zbulohen pamjet e grabitjes së armatosur të argjendarisë në Kamëz të Tiranës mesditën e sotme.

Dy persona të armatosur, me skafandra, motor dhe të përgatitur, mësynë në subjekt duke grabitur një çantë me bizhuteri e para sipas dyshimeve dhe hetimeve të para.

Pamjet tregojnë një prej agresorëve i armatosur me automatik që pret të dera dhe ruan, teksa ka lënë motorin jashtë në pritje.

Kurse tjetri brenda mbledh ç’të gjejë nën kërcënim dhe del me një çantë të mbushur.

Skena zgjat jo më shumë se dhjetë sekonda, teksa largohen me shpejtësi.

Ajo që bën përshtypje janë qytetarët që kalojnë të qetë në rrugë, pavarësisht grabitjes që po ndodh.

Pamjet që shihni tregojnë edhe vendin e ngjarjes ku ndodhi grabitja sot në Kamëz. Pre e vjedhjes ra një argjendari.

Siç shihet nga pamjet, xhama kanë përfunduar në trotuar. Ndërkohë, dy personat e përfshirë në ngjarje, janë shpallur në kërkim.

Policia e Tiranës ndau edhe detajet e para të hetimit pas ngjarjes së ndodhur.

“Rreth orës 13:00, në Kamëz, dy shtetas ende të paidentifikuar, dyshohet se njëri prej tyre me një send në dukje armë zjarri, kanë hyrë në ambientet e argjendarisë në pronësi të shtetasit O. L, dhe kanë marrë një sasi bizhuterish”, thuhet në reagimin zyrtar.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë kontrolle të zonës.

“Grupi hetimor, po punon për fiksimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të rastit”, tha policia.

Po verifikohen pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe më gjerë, gjurmët e mundshme daktiloskopike dhe deri tek çdo mikrogjurmë tjetër që mund të çojë tek identifikimi i tyre.

Me interes pritet edhe dëshmia e punonjësit në argjendari, por edhe rezultatet e kontrolleve në zonë, sikurse verifikimi i llojit të motorit, ku mund të jetë blerë dhe nga kush.

Ekspertët kanë punuar në vendngjarje duke mbledhur provat paraprake dhe dëshmitë, teksa me rëndësi është procesi i gjurmimit nga ana e Forenzikës.

Të Ngjashme