Qeveria e Shqipërisë ka miratuar vendimin për shpërblimin financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit të angazhuar në vijën e parë të përballjes me protestuesit, gjatë protestave të studentëve dhe gjimnazistëve, që kanë hyrë në ditën e shtatë.
Sipas vendimit, 2 mijë e 750 efektivë të policisë do të përfitojnë nga 2 mijë e 500 euro secili, në vlerësim të angazhimit të tyre gjatë përballimit të situatës së krijuar nga protestat.
Më herët sot, gjatë një takimi me trupën e policisë në Ministrinë e Brendshme, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi vendimin për shpërblimin e efektivëve, duke vlerësuar rezistencën dhe sakrificën e tyre përballë situatës së tensionuar.
Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve janë shoqëruar prej shtatë ditësh me përplasje të forta me policinë, përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe akte dhune e dëmtime ndaj institucioneve dhe ambienteve publike në kryeqytet./A2Cnn
