Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë një sërë vendimesh në mbledhjen elektronike të zhvilluar së fundmi, ku në fokus kanë qenë fondet për barna esenciale, mbulimi i obligimeve operative dhe kontraktuale, si dhe funksionimi i institucioneve publike, thuhet një njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë, përcjell “Bota sot”.
Në mesin e vendimeve është edhe transferimi i mbi 4.3 milionë eurove për furnizimin me barna, ndërsa një milion euro të tjera janë ndarë për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe 300 mijë euro për Komunën e Podujevës. Qeveria po ashtu ka përcaktuar kompensimin për anëtarët e Bordit të Korporatës së Ruajtjes së Energjisë dhe ka nominuar përfaqësuesit e saj në Këshillin Konsultativ për Komunitete.
Njoftimi:
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka:
– Miratuar vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit mujor të anëtarëve të Bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE (Energy Storage Corporation – ESCorp)” Sh. A.
– Miratuar vendimin për dhënien në shfrytëzim të hapësirës, Parcela Kadastrale P-9012-0, me sipërfaqe prej 999 m², të cilat janë në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, për nevoja të Ministrisë së Drejtësisë.
– Miratuar Kërkesën e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, për transfer të mjeteve në shumë prej 4,333,900€ (katër milionë e treqind e tridhjetë e tre mijë e nëntëqind euro), deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht, për furnizim me barna nga Lista e Barnave Esenciale.
– Miratuar Kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për transferim të mjeteve në shumë prej 1,000,000.00€ (një milion euro), deri nën 20.68% të ndarjes së ndikuar negativisht, për mbulimin e obligimeve që kanë të bëjnë me shpenzime operative.
– Miratuar Kërkesën e Komunës së Podujevës për transferimin e mjeteve, në shumën prej 300,000.00€ (treqind mijë euro), që përbën deri në 18.18% të ndarjes së ndikuar negativisht, për mbulimin e obligimeve kontraktuale.
– Miratuar vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës i nominon tre (3) përfaqësues të saj në Këshillin Konsultativ për Komunitete.
