Lajme

Radoiçiqi në krah të djalit të Vuçiqit, Haxhiu kërkon reagim ndërkombëtar

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas publikimit të pamjeve ku Milan Radoiçiq shfaqet pranë djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në tubimin e SNS-së në Kragujevc.

Haxhiu ka deklaruar se kjo paraqitje dëshmon se organizatori i sulmit në Banjskë jo vetëm që gjen strehë në Serbi, por edhe shfaqet në rrethet e pushtetit.

Ajo ka kërkuar nga autoritetet serbe dorëzimin e Radoiçiqit dhe personave të tjerë të kërkuar për sulmin e 24 shtatorit 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Haxhiu i ka bërë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë trysni konkrete ndaj Serbisë, duke theksuar se përgjegjësit e sulmit duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë.

Postimi i plotë:

Pamjet e publikuara nga mediat serbe, ku Milan Radoiçiq shfaqet përkrah djalit të Aleksandar Vuçiqit në një tubim elektoral të partisë së tij në Kragujevc, dëshmojnë se organizatori i sulmit terrorist në Banjskë jo vetëm që gjen strehë në Serbi, por pritet e nderohet në rrethet e pushtetit.

Më 24 shtator 2023, grupi terrorist i armatosur rëndë, në krye me Milan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Republikës së Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Sulmi synonte të cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës sonë. Institucionet e Kosovës e zmbrapsën atë sulm, por përgjegjësit e tij ende nuk janë përballur me drejtësinë.

Njeriu që mori publikisht përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi dhe që kërkohet ndërkombëtarisht, në vend që t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës, shfaqet lirshëm në tubimin e partisë në pushtet në Serbi. Kjo nuk mund të trajtohet thjesht si mungesë e bashkëpunimit me drejtësinë. Prania e tij në rrethet e afërta me pushtetin ngre pyetje të drejtpërdrejta për përgjegjësinë politike të autoriteteve serbe, të cilat duhet t’i japin fund mbrojtjes së tij dhe ta dorëzojnë në Kosovë, ku duhet të përgjigjet për sulmin që organizoi.

Një sjellje e tillë kërkon reagim të qartë edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Kërkesa për dorëzimin e Radoiçiqit dhe të personave të tjerë të kërkuar për sulmin në Banjskë autoriteteve të Kosovës duhet të shoqërohet me trysni konkrete dhe pasoja për mosdorëzimin e tyre. Çdo tolerim i mëtejshëm përçon mesazhin se një sulm terrorist mund të organizohet, të marrë jetë njerëzish dhe të mbetet pa ndëshkim, për sa kohë autorët gëzojnë mbrojtjen e pushtetit.

Për Kosovën, drejtësia për Afrim Bunjakun dhe vënia para përgjegjësisë e organizatorëve të sulmit në Banjskë mbeten detyrim i patjetërsueshëm. Vendi i tyre është para gjykatave të Republikës së Kosovës. As koha e as afërsia me pushtetin në Beograd nuk do t’i amnistojnë ata që e përgatitën dhe e kryen sulmin.

Të Ngjashme