Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka reaguar ashpër pas publikimit të një artikulli nga portali “Insajderi”, me titullin “Agim Bahtiri nën hetim”, duke e cilësuar atë si shpifje.
Bahtiri ka mohuar keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe ka kërkuar falje publike nga portali dhe gazetari Visar Duriqi deri më 12 tetor. Në të kundërtën, ai ka paralajmëruar se të hënën do të angazhojë avokatin e tij për të ngritur padi për shpifje.
Ai ka deklaruar se shpenzimet për të cilat, sipas tij, është pretenduar se janë zhdukur, janë të dokumentuara dhe të verifikuara. Bahtiri ka bërë të ditur gjithashtu se, nëse fiton dëmshpërblim nga padia, paratë do t’i ndajë për personat në nevojë ose për studentët.
Reagimi i plotë:
Sapo u njoftova për një publikim të portalit “Insajderi” me kryetitull: “Agim Bahtiri nën hetim.”
Në fillim, e kishin shfaqur si kronikë, e pastaj menjëhere e kishin fshirë dhe e kishin lënë vetëm si artikull. Kjo do të thotë se ata as vet nuk janë të sigurtë për këtë publikim.
Që nga fillimi kam thënë se nuk ka njeri në botë që mund të ma bëjë me gisht, duke pretenduar se unë e kam keqperdor poziten zyrtare. Prandaj nuk e di se si dikush që i thotë vetit gazetar, guxon të shpif që në titull, për diçka që Agim Bahtiri nuk është, as nuk do të jetë kurrë. Kam menduar se këta gazetar e dijnë se Agim Bahtiri kurrë në jetë asnjë cent nuk e ka përfituar nga qeverisja si kryetar komune e deri në ditën e sotme, përkundrazi kam shpenzuar me qindra-mijëra euro nga buxheti familjar, duke paguar çdo gjë me paratë e mia private, madje edhe duke ndërtuar shtëpi me këtë buxhet familjar, për shumë familje mitrovicase në nevojë.
Por, mëqe po e shoh se nuk e paskan kuptuar ende, e po guxojnë të luajnë me emrin tim për këso tema që kurrë në jetë nuk mund ta gjejnë asnjë hile, po ua jap edhe një shansë gazetarit Visar Duriqi dhe portalit “Insajderi”. Nëse nuk dalin të kërkojnë falje publikisht për këtë shpifje të turpshme, para dates 12 tetor (që do të thotë kanë kohë deri nesër në mbrëmje), atëherë unë të hënen, duke qenë i pajiusur me të gjithë dokumentacionet e nevojshme, do të angazhoj avokatin tim personal që të dorëzoj padi për shpifje ndaj portalit “Insajderi” dhe gazetarit Visar Duriqi që është marrë direkt me këtë shpifje, i cili duke dalë jashtë petkut të vet të gazetarisë, pa u bazuar fare në fakte, por në interese apo nevoja të dikujt, ka bërë këtë shpifje të turpshme, të cilën emri im dhe i familjes sime nuk e duron dot.
Çdo cent për të cilin ai ka pretenduar se është zhdukur, e kam të verifikuar në dokumente, me vendime, me komisione të cilat për çdo shpenzim janë të pasqyruara. Dua të shtoj se për blerjen e banesës për familjen e Selver Haradinaj, për të cilin ai ka pretenduar se nuk dihet nga kanë shkuar fondet, është e vërtetuar me dokumente se është paguar nga po ai fond, (në total 26,071.00€), në datë 05.11.2012, 1 vit para se të vij unë si kryetar komune.
Nuk e lejoj askënd që të njollos emrin tim, përderisa me mish e me shpirt kam punuar me duar të pastërta për vendin tim.
Prandaj, për këtë shpifje, do të kërkoj dëmshpërblim nga portali në fjalë, dhe këtë dëmshpërblim do ta shpërndaj pikërisht tek personat ne nevojë, ose për studentët, ashtu siç e kam dhënë gjithë pagen time, për 8 vite mandat, sa kam qenë kryetar komune.
Kësaj shpifje do t’i shkoj deri në fund!
