Ambasadori i Kosovës për marrëdhënie me NATO-n, Astrit Zemaj, ka dënuar deklaratat e Ivica Daçiqit për Kosovën, duke i cilësuar ato si retorikë nacionaliste kërcënuese që rrezikon sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Ai ka kërkuar që mesazhet e tilla të trajtohen me seriozitet nga strukturat e NATO-s dhe institucionet përkatëse ndërkombëtare.
Zemaj, përmes një reagimi në Facebook, iu referua deklaratave të Daçiqit, kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe ministër në qeverinë serbe, i cili më 7 tetor, në Rashkë të Serbisë, deklaroi se “herët a vonë flamuri serb do të valojë mbi Prizren”, duke përsëritur pretendimet se Kosova nuk do të jetë kurrë e pavarur.
Sipas Zemajt, deklaratat e tilla nuk mund të konsiderohen thjesht retorikë politike apo elektorale, por përbëjnë gjuhë nacionaliste dhe kërcënuese, e cila vë në pikëpyetje realitetin shtetëror të Kosovës dhe mund të nxisë tensione në rajon.
Postim i plotë:
Më 7 tetor, në Rashkë të Serbisë, Ivica Daçiqi, kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe Ministër i qeverisë serbe, deklaroi publikisht se „herët a vonë flamuri serb do të valojë mbi Prizren”, duke përsëritur se Kosova nuk do të jetë kurrë e pavarur.
Nuk është thjesht retorikë elektorale, por gjuhë nacionaliste kërcënuese, që nxit urrejtje, vë në pikëpyetje realitetin shtetëror të Kosovës dhe kërrcënon sigurinë në rajon.
Kjo gjuhë i përket epokës së Millosheviqit, kur nacionalizmi agresiv serb kulmoj në Ballkan në luftëra, shkatërrime dhe katastrofë humanitare.
Nuk duhet harruar se SPS-ja e Daçiqit ishte pjesë e pushtetit të Serbisë gjatë viteve të luftërave të Millosheviqit, kur Kosova u përball me vrasje masive, dëbime dhe terror. Mbi 13.500 shqiptarë u vranë gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Intervenimi Ushtarak i NATO-s erdhi në rrethanat e katastrofës humanitare dhe si pasoj e krimeve deri ne shkallē gjendocidi, me synimin për t’i dhënë fund dhunës dhe për të krijuar kushtet për siguri e paqe.
Sot, askush nuk duhet të lejojë që gjuha e pretendimeve territoriale dhe e frikësimit të rikthehet si mjet i politikës shtetërore.
Kushtetuta e Republikës sē Kosovës i garanton 20 vende në Kuvend për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 për komunitetin serb. Sistemi kushtetues parasheh gjithashtu mekanizma të posaçëm për mbrojtjen e komuniteteve dhe përfaqësimin e tyre në jetën publike. Këto nuk janë premtime politike, por garanci të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Prandaj, pretendimi se Serbia duhet të rikthejë kontrollin mbi Kosovën nuk mund të arsyetohet me mbrojtjen e serbëve.
Në këtë reagim, për dijeni edhe strukturave më të larta ushtarake të NATO-s dhe misioneve të saj në Kosovë siç janë,
– Admiral Giuseppe Cavo Dragone – kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s;
– Gjeneral Alexus G. Grynkewich – Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë (SACEUR);
– Admiral George M. Wikoff – komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli;
– Gjeneralmajor Özkan Ulutaş – komandant i KFOR-it;
– Thomas Schulte-Borghoff – drejtor i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).
Të cilësohët si thirrje që kjo retorikë të trajtohet me seriozitetin që kërkon përgjegjësia për sigurinë rajonale, dhe të ketë një reagim të qartë, të vendosur dhe institucional, vlerësim të mesazheve kërcënuese dhe përcjellje të shqetësimeve përmes kanaleve përkatëse të NATO-s nē NATO HQ në BRUKSEL, ne SHAPE, nē AJFC Napoli, në KFOR dhe në NATO – NALT.
Heshtja përballë kësaj gjuhe rrezikon të krijojë përshtypjen se kërcënimet territoriale janë të pranueshme.
Ne do të jemi këtu. Republika e Kosovës do të jetë këtu, për dallim nga Serbia që është proksi i Rusisë në Ballkan, vendi ynë është rreshtuar përkrah Shteteve te Bashkuara të Amerikës, NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Aleatëve tanë. Me përkushtim do të vazhdojmë të jemi partnerë kyç në mbrojtjen e paqes, lirisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në këtë pjesë të Evropës.
Kosova është shtet, liria e saj nuk është objekt negociimi përmes kërcënimeve dhe të drejtat e komuniteteve të saj janë pjesë e rendit kushtetues. Paqja duhet mbrojtur me vendosmëri, para se retorika e urrejtjes të shndërrohet në veprime që kërcënojnë jetën e qytetarëve dhe stabilitetin e rajonit.
