Ministrja Fitore Pacolli njofton për masa ndaj bizneseve që kanë ushtruar veprimtari pa leje mjedisore, ndërsa paralajmëron vazhdimin e inspektimeve në të gjithë sektorët që mund të rrezikojnë mjedisin.
Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH) ka ndërmarrë një sërë masash ndaj disa bizneseve që kanë zhvilluar veprimtari pa lejet përkatëse mjedisore.
Përmes një njoftimi në Facebook, ministrja Fitore Pacolli ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave është shqiptuar gjobë ndaj një kompanie që merret me përpunimin e betonit në Gjilan. Ndërkohë, dy kompani në Klinë dhe një fabrikë në Lipjan janë obliguar të ndërpresin punën për shkak të mungesës së lejeve të nevojshme mjedisore.
Postim i plotë:
Gjatë kësaj jave, Inspektorati i MMPH-së ka ndërmarrë masa konkrete për mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e ligjit.
Është shqiptuar gjobë ndaj një kompanie që bënë përpunimin e betonit në Gjilan, ndërsa janë obliguar dy kompani në Klinë për ndërprerjen e punës, si dhe një fabrikë në Lipjan. Të gjitha kanë funksionuar pa lejet përkatëse mjedisore.
Kontrollet kanë përfshirë edhe gurthyes dhe operatorë të përpunimit të mishit e produkteve të qumështit, me fokus në respektimin e lejeve mjedisore dhe mbrojtjen e ujërave.
Krahas kësaj inspektorati po i monitoron edhe vendimet që kemi marrë për të parë nga afër zbatimin e tyre. Poashtu, në vazhdimësi po trajtohen edhe ankesat që i pranojmë nga qytetarët.
Ndotja dhe aktivitetet në kundërshtim me ligjin nuk do të tolerohen. Inspektimet dhe masat ligjore do të vazhdojnë.
