Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se zyrtari i lartë i FSK-së, Ali Ngucati, është varrosur sot me nderime të larta ushtarake në vendlindjen e tij, në Polac të Skënderajt.
Në Shtëpinë e Kulturës në Skënderaj u mbajtën homazhe në nderim të të ndjerit, ku morën pjesë familjarë, miq, shokë, kolegë të FSK-së, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të shumtë. Më pas, në akademinë përkujtimore u vlerësuan angazhimi dhe sakrifica e tij gjatë luftës çlirimtare, si dhe kontributi në ndërtimin e institucioneve të sigurisë pas përfundimit të luftës.
Në emër të komandantit të FSK-së dhe të gjithë pjesëtarëve të saj, fjalën e mori zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, i cili shprehu ngushëllimet për familjen dhe bashkëpunëtorët e të ndjerit, duke vlerësuar lart përkushtimin dhe kontributin e Ali Ngucatit në shërbim të atdheut.
Në akademinë përkujtimore folën edhe nënkryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Faik Fazliu, si dhe vajza e të ndjerit, Alisa Ngucati, të cilët kujtuan kontributin e tij gjatë luftës dhe në ndërtimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës pas luftës.
Ali Ngucati ishte pjesëtar i Brigadës 113 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Drenicës. Pas luftës, ai shërbeu në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, ndërsa deri në ndarjen nga jeta mbajti pozitën e zyrtarit të lartë civil në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Pas vetes, ai la babanë, bashkëshorten dhe dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, të cilët i rriti dhe i edukoi me dashuri, përkushtim dhe frymë atdhedashurie.
Kontributi dhe vepra e Ali Ngucatit do të mbeten pjesë e kujtesës së atyre që e njohën dhe vlerësuan shërbimin e tij ndaj atdheut.
