Lajme

Rama: Dhuna ndaj policisë nuk është protestë, të rinjtë po frymëzohen nga një forcë e errët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka komentuar protestat dhe incidentet e dhunshme të regjistruara gjatë tubimeve të fundit, gjatë një takimi me drejtuesit e Policisë së Shtetit, ku mbajti në dorë një gur për të ilustruar, sipas tij, dhunën e ushtruar ndaj efektivëve të policisë. Rama deklaroi se dhuna gjatë protestave nuk lidhet me arsyet legjitime që qytetarët mund të kenë për të shprehur pakënaqësitë e tyre në një vend të lirë dhe demokratik. Sipas kryeministrit, përballë akteve të tilla, shteti nuk duhet të negociojë.

“Valë dhune që s’ka të bëjë me asnjë nga arsyet që janë legjitime, të qytetarëve në një vend të lirë dhe demokratik për të pasur pakënaqësi. Me këtë (gur) nuk negociohet. Dhe me këdo që vë përpara këtë, nuk negociohet. Kur shteti negocion me këtë, ka rënë. Dhe në momentin kur fiton ky, atëherë logjika e këtij bëhet vetë shteti”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë solli në vëmendje edhe episode të mëparshme të dhunës në Shqipëri, duke argumentuar se pasojat e tyre kërkojnë vite për t’u kapërcyer.

“E ka parë Shqipëria këtë film më shumë se një herë dhe e ka parë se si pasojat e këtij janë plagë që duan vite të tëra për t’u shëruar”, deklaroi ai.

Rama u ndal edhe te të rinjtë që marrin pjesë në protesta, duke theksuar se pjesëmarrja në tubime paqësore nuk duhet barazuar me përfshirjen në akte dhune. Megjithatë, ai pretendoi se disa prej të rinjve që i bashkohen protestave janë të ekstremizuar nën ndikimin e një rryme që, sipas tij, është shfaqur në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Natyrisht që kjo s’do të thotë që kush sot proteston paqësisht, dhe pse janë shumë pak, se vajzat e djemtë që i bashkohen këtij, në thelb nuk duan paqe. Janë të rinj dhe të reja të ekstremizuar nën trysninë, apo nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në SHBA, për të cilën presidenti i SHBA e ka shpallur organizatë terroriste ANTIFA”, tha kryeministri.

Të Ngjashme