Lajme

Rama reagon për ngjarjen në Zvërnec

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur më 30 maj në Zvërnec, ku një punonjës i shoqërisë private të sigurisë goditi një protestues gjatë demonstratës kundër projektit në zonë.

Rama falënderoi Policinë e Shtetit për reagimin e shpejtë dhe paralajmëroi se nesër do të flasë vetë për projektin, të cilin e cilësoi si “të jashtëzakonshëm” për Shqipërinë.

“Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit.”

Kreu i qeverisë përgëzoi policinë për masat e marra, duke thënë se, “E përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë, qoftë ndaj atij grushti muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës. Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cënon besimin e publikut është e duhura.”

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar punonjësin që goditi protestuesin dhe ka proceduar penalisht edhe dy punonjës të tjerë të sigurisë që ndihmuan në tërheqjen zvarrë të qytetarit.

Ngjarja solli pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Vlorës, Elidon Çela, si dhe nisjen e hetimit disiplinor për zinxhirin komandues të DVP Vlorë./rtsh.al/

Të Ngjashme