Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat që vijojnë prej disa ditësh në Tiranë, duke njoftuar masa për bizneset e vogla që kanë pësuar dëme gjatë përplasjeve.
Ai bëri të ditur se, duke nisur nga sot, bizneset e vogla të dëmtuara do të kenë mundësi të regjistrojnë dëmet e shkaktuara përmes një dritareje të posaçme në platformën e-Albania.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se 10 grupe verifikimi nga Drejtoria e Tatimeve do të dalin në terren për të mbledhur të dhënat dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara ndaj bizneseve të vogla në kryeqytet.
“Prej ditës së sotme, çdo biznes i vogël që është dëmtuar nga vala e dhunës qorre ka një dritare në e-Albania ku do mund të regjistrojë dëmin. Sikundër u thashë dhe miqve të dëmtuar në këtë biznes të vogël, 10 grupe verifikime nga Drejtoria e Tatimeve do jenë në terren për të mbledhur të dhënat e dëmeve mbi biznesin e vogël të kryeqytetit. Do jemi bashkë me çdo familje që jeton me punë të ndershme në Tiranë dhe që ka humbur pasurinë dhe do t’i kthejmë këto gërmadha verbërie në shëmbëlltyra të forcës sonë për të ecur përpara”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se qeveria do të mbështesë familjet dhe bizneset e prekura, duke u zotuar për rikthimin e tyre pas dëmeve të shkaktuara.
Kryeministri theksoi se çdokush ka të drejtë të ushtrojë në mënyrë demokratike dhe paqësore të drejtën për të protestuar, ndërsa u zotua se nuk do të lejojë askënd që të rrezikojë të ardhmen e vendit.
“I respektojmë studentët, i çmojmë si shtysën për të ecur më shpejt përpara. Zëri i tyre dhe i çdo të riu duhet dhe do të dëgjohet me respekt. E drejta për të protestuar duhet dhe do të mbrohet si një e drejtë për të cilën ne të gjithë kemi luftuar në kohë të ndryshme. S’do të lejoj askënd dhe asgjë të rrezikojë të ardhmen e këtij vendi“, tha Rama.
Ndërkohë, situata në Tiranë vijon të jetë e tensionuar, ndërsa protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
