Aktuale

Rama shkarkon drejtorët, por mban me kthetra “gurin e shahut” të Agasit në Kadastër

Ndërsa Edi Rama kërkon dorëheqjen e drejtorëve të administratës, Lorena Goxhobelli vazhdon të qëndrojë në krye të Kadastrës. Në dosjet e SPAK të administruata së fundmi, ka mjaftueshëm indicie dhe prova se ajo ka favorizuar interesat e Ergys Agasit në çështje pronash dhe në procesin e digjitalizimit të sistemit kadastral, duke i krijuar mundësi aksesi në hartën territoriale dhe numrat e pasurive.

Ndërkohë që Edi Rama ka nisur shkarkimin e drejtorëve të administratës, në krye të Kadastrës vazhdon të mbajë me kthetra Lorena Goxhobellin, e cila mund të themi se vazhdon të rezistojë si një nga gurët e shahut të Ergys Agasit në institucionet shtetërore.

Ndryshe nga drejtorët e tjerë, për të cilët Rama ka ngarkuar ministrat të kërkojnë dorëheqjet, Lorena Goxhobelli varet drejtpërdrejt nga Kryeministri. Është Edi Rama që e emëron dhe e shkarkon, prandaj përgjegjësia për mbajtjen e saj në detyrë bie mbi të.

Sipas informacioneve të ardhura në “Pamfleti”, Goxhobelli ka ndërhyrë në praktika regjistrimi e legalizimi të pasurive që lidhen me interesat e Ergys Agasit, mes tyre edhe prona e objekte në Petrelë.

Mirëpo, denoncimi më i rëndë nuk lidhet vetëm me regjistrimet e pronave, por me sistemin elektronik ku ndodhen të dhënat e pasurive të të gjithë shqiptarëve.

Burimet e “Pamfletit” kanë denoncuar se gjatë procesit të digjitalizimit të Kadastrës janë manipuluar procedurat, duke i krijuar Ergys Agasit mundësi aksesi në hartën territoriale kadastrale dhe në numrat identifikues të pasurive.

Bëhet fjalë për të dhëna që tregojnë vendndodhjen dhe identifikimin e pronave në të gjithë territorin e Shqipërisë, të cilat administrohen nga shteti dhe nuk mund të vihen në dispozicion të personave të paautorizuar.

Në maj 2026, Lorena Goxhobelli firmosi udhëzimin për digjitalizimin e hartave kadastrale. Projekti mbështetet nga Bashkimi Europian dhe UNOPS, ndërsa zbatimi i tij dhe kontrolli mbi të dhënat janë përgjegjësi e institucionit që ajo drejton.

Në këtë sektor është lidhur edhe kontrata rreth 4.5 milionë euro për sistemin elektronik të Kadastrës, e fituar në vitin 2023 nga kompanitë “Soft & Solution” dhe “Fastech” të Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit.

Kontrata është dhënë përpara emërimit të Goxhobellit, ndërsa lidhjet e dyshuara të kompanive të teknologjisë me rrjetin e Agasit janë përmendur në raportimet për aferën AKSHI.

Pikërisht te pronat dhe sistemi elektronik i Kadastrës, burimet e “Pamfletit” e vendosin rolin e Lorena Goxhobellit si gur shahu i Agasit, të cilin Edi Rama vazhdon ta mbajë në tepsinë e pushtetit.

Madje, më parë është raportuar se Rama i ka refuzuar tri herë dorëheqjen Goxhobellit, megjithëse shkresat përkatëse nuk janë bërë publike.

Më 22 tetor, Kryeministri nisi fushatën e dorëheqjeve në institucionet e administratës, duke kërkuar ndryshimin e drejtuesve në 132 struktura shtetërore. Ndërsa për drejtorët e tjerë ka kërkuar largime, për Goxhobellin nuk ka bërë publik asnjë vendim.

Nëse Rama ka vendosur të pastrojë administratën, duhet të shpjegojë përse mban në krye të Kadastrës një drejtuese për të cilën janë ngritur denoncime konkrete mbi favorizimin e interesave të Agasit dhe aksesin në të dhënat e pronave duke i mundësuar kështu edhe tjetërsimin e tyre.

SPAK duhet të verifikojë praktikat e regjistrimit të pasurive të lidhura me Agasin, procedurat e digjitalizimit dhe regjistrat teknikë që tregojnë kush ka pasur akses në sistemin kadastral.

Ndërsa Edi Rama, që po ua kërkon dorëheqjet drejtorëve të tjerë, duhet të japë përgjigje për arsyen pse vazhdon ta mbajë me kthetra në tepsinë e tij gurin e shahut të Ergys Agasit. /Pamfleti

Të Ngjashme