Lajme

Rama sot mban konferencë për media lidhur me Lojërat Mesdhetare 2030

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, do të mbajë sot konferencë për media lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Konferenca do të mbahet nga ora 12:00, në sallën e konferencave në objektin e vjetër të Komunës së Prishtinës.

Rama ka paralajmëruar dje se Kosova rrezikon ta humbë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, duke publikuar një letër të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).

Pas këtij paralajmërimi ka reaguar ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, i cili ka deklaruar se Kosova do t’i organizojë këto gara dhe se Qeveria do të jetë garantuese e organizimit të tyre.

Në një postim në Facebook, Gashani e ka kritikuar Ramën për publikimin e korrespondencës, duke thënë se ajo nuk i pasqyron të gjitha komunikimet dhe angazhimet institucionale.

“Publikimi i kësaj korrespondence, pa pasqyruar tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale, me një dramaticitet të panevojshëm dhe me alarm të pabazë, përbën një qasje, thënë më së buti, problematike të kryetarit të Prishtinës”, ka shkruar Gashani.

Ministri ka theksuar se përkushtimi i Qeverisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare mbetet i palëkundur, ndërsa çështjet e ngritura po trajtohen përmes bashkëpunimit institucional.

Ndërkaq, Rama i është përgjigjur Gashanit me mesazhin: “Ministër, përktheje letrën”.

Në konferencën e sotme, Rama pritet të japë më shumë detaje lidhur me letrën e ICMG-së dhe zhvillimet që kanë të bëjnë me organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Të Ngjashme