Platforma digjitale “Pasqyra e Çmimeve” pritet të zgjerohet me produkte dhe subjekte të tjera tregtare, në mënyrë që konsumatorët të kenë mundësi të informohen çdo ditë për çmimet në treg.
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se objektivi i qeverisë është që deri në përfundim të këtij viti, numri i artikujve të përfshirë në platformë të arrijë në 1.000, nga mbi 200 që janë aktualisht.
Gjatë prezantimit të nismës, kreu i qeverisë shpjegoi se zgjerimi nuk do të kufizohet vetëm te rrjetet e mëdha të supermarketeve. Në fazat e ardhshme synohet të përfshihen edhe bizneset e vogla dhe dyqanet e shitjes me pakicë.
Sipas Ramës, një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet pikave tregtare ku mund të konstatohen ndryshime të pajustifikuara të çmimeve.
Ai paralajmëroi se legjislacioni parashikon masa ndëshkuese, përfshirë gjobat, në rastet kur vërtetohen praktika të paligjshme apo spekulime me çmimet.
Megjithatë, kryeministri theksoi se qasja e qeverisë nuk synon të mbështetet vetëm te ndëshkimet. Sipas tij, bashkëpunimi me sipërmarrjet dhe përfshirja e tyre në platformë mbeten elementet kryesore për funksionimin e nismës.
Rama e cilësoi këtë projekt si fillimin e një procesi që do të shtrihet gradualisht në një numër më të madh operatorësh ekonomikë.
“Natyrisht që ky nuk është fundi, është fillimi i një procesi ku ne duam të përfshijmë gjithnjë e më shumë subjekte”, deklaroi kryeministri.
Ai shtoi se synimi është krijimi i një sistemi ku qytetarët të kenë një informacion të përditësuar dhe të qartë për çmimet e produkteve.
“Sot janë mbi 200 artikuj që janë pjesë e kësaj pasqyre. Synimi është që deri në fund të vitit ato të jenë 1.000”, u shpreh Rama.
Përmes kësaj platforme, qeveria synon të rrisë transparencën e tregut dhe t’u krijojë konsumatorëve mundësinë të krahasojnë çmimet përpara se të kryejnë blerjet.
