Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ua caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh katër të dyshuarve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Bëhet fjalë për ish-vjehrrën e viktimës, Nurije Sylajn, ish-kunatin Driton Sylajn, si dhe Metë Pepajn e Gëzim Bobin. Lajmin e kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” burime brenda Gjykatës.
Nurije dhe Driton Sylaj dyshohen se kanë ndihmuar Albert Sylajn në kryerjen e vrasjes, ndërsa Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi dyshohen se e kanë ndihmuar atë pas kryerjes së veprës penale. Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylajt, i cili dyshohet për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, të publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, Nurije Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së vrasjes. Që nga 22 tetori 2026, kur Arlinda ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare, ajo dyshohet se e kishte fotografuar dhe incizuar vazhdimisht viktimën.
Në telefonin e saj është gjetur edhe një video e datës 23 tetor, në të cilën Arlinda shihet duke ecur në qytet. Kjo video dyshohet se ishte realizuar nga Driton Sylaj, i cili më pas ia kishte dërguar atë përmes aplikacionit WhatsApp.
Prokuroria dyshon se këto veprime ishin pjesë e një koordinimi paraprak mes personave të përfshirë, me qëllim të sigurimit dhe shkëmbimit të informacioneve për lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, Nurije Sylaj kishte qenë e pranishme në shtëpi gjatë kohës kur Albert Sylaj dyshohet se kishte sulmuar Arlindën me sëpatë, pa ndërmarrë ndonjë veprim për ta penguar sulmin.
