Lajme

​RDK me aksion simbolik para Qeverisë, vendos “shiritin e rrezikshmërisë”: Aty ku po kryhet krim ndaj Republikës

Një shirit i verdhë, i përdorur zakonisht për të sinjalizuar zona të rrezikshme, u vendos të shtunën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës nga Rinia Demokratike e Kosovës.

Përmes këtij aksioni simbolik, sekretari organizativ i Rinisë Demokratike të Kosovës, Altin Gjata, tha se synon të alarmojnë, siç u shpreh, mënyrën e qeverisjes që po largohet nga rendi kushtetues, normat ligjore dhe përgjegjësitë institucionale.

Sipas tij, një pushtet bëhet i rrezikshëm kur e konsideron veten mbi rregullat që vlejnë për të gjithë.

Gjata: Shiritin e rrezikshmërisë e vendosëm aty ku po kryhet krim ndaj Republikës

“Më 6 gusht, Albin Kurti dhe disa nga anëtarët e kabinetit qeveritar janë betuar si deputetë, ndërkohë që po vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre ekzekutive, ndërsa Kuvendi mbetet i pakonstituar si pasojë e bllokadës së shkaktuar nga vetë ai dhe Lëvizja Vetëvendosje. Kur institucionet i nënshtrohen vullnetit të një grupi partiak dhe me mendësi uzurpuese në shpërputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, demokracia vihet në rrezik dhe shteti rrëshqet drejt anarkisë. Prandaj, shiritin e rrezikshmërisë e vendosëm aty ku e ka vendin, në një zonë që çdo ditë po kryhet një krim ndaj Republikës së Kosovës. Dhe nuk bëhet fjalë për çfarëdo krimi, por për një nga shkeljet më të rënda që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës: shkeljen e Kushtetutës dhe rrezikimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.”, tha Gjata.

Në fund, RDK tha se mesazhi i tyre është se asnjë individ, grup apo parti politike nuk duhet të jetë mbi Republikën e Kosovës.

Sipas tyre, një pushtet pengmarrës që del jashtë kufijve kushtetues përbën rrezik për secilin qytetar dhe për vetë shtetin.

Të Ngjashme