Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka shkruar ish-kryeministrit grek, Alexis Tsipras, lidhur me reagimet për incidentin e ndodhur në Zvërnec.
Në vijim reagimi i gjatë i Ramës:
I dashur Alexis,
Shpresoj të jesh shumë mirë.
Më fal që të shqetësoj, por desha të ndaj me ty habinë time se sa shpejt edhe partia juaj e re ka kontribuar në shndërrimin e një incidenti krejtësisht të izoluar në një çështje me peshë më të gjerë politike, duke shpërfillur faktet e vendosura dhe duke theksuar gjysmë të vërteta, të cilat shpesh janë forma më mashtruese e së pavërtetës – veçanërisht kur përzihen me një ngjyrim nacionalist, më duhet të them!
Ngjarja e pafat dhe e dënueshme në Zvërnec nuk ndodhi gjatë një proteste normale për të drejtat e pronës. Ajo ndodhi në një klimë tensioni të shtuar, të ushqyer nga një sasi e madhe dezinformimi, e shoqëruar me përpjekje të përsëritura për të penguar aktivitetin e ligjshëm të investitorëve privatë ndërkombëtarë me reputacion të lartë, të cilët veprojnë në tokë private të blerë nga pronarë legjitimë me tituj të vlefshëm pronësie, në përputhje të plotë me ligjin shqiptar.
Çdo dëmtim i çdo personi, qoftë shqiptar, grek apo i çdo kombësie tjetër, është për të ardhur keq. Rrethanat u sqaruan me shpejtësi, duke çuar në arrestimin e punonjësve të sigurisë private përgjegjës për incidentin, heqjen e licencës së kompanisë së tyre dhe shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës.
Çfarë më shumë do të prisje, Alexis, dhe çfarë masash shtesë do të kishe marrë ti si Kryeministër në këto rrethana? Kujtesa ime më thotë se, po të ishin të kundërta rolet tona, reagimi yt me shumë gjasë do të kishte qenë më pak vendimtar. Por kjo nuk është thelbësorja.
Thelbësorja është se nuk është as e drejtë dhe as e përgjegjshme që një incident i izoluar të paraqitet si provë e shkeljes së të drejtave të minoriteteve, të drejtave të pronës apo shtetit të së drejtës. Përkundrazi, një qasje e tillë është e padrejtë, e papërgjegjshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane që të dy pretendojmë se ndajmë. Asnjë fushatë elektorale që po afrohet nuk mund ta justifikojë një sjellje të tillë, veçanërisht nga një parti e re që synon të përfaqësojë të majtën evropiane të shekullit XXI.
Angazhimi i Shqipërisë ndaj shtetit të së drejtës, mbrojtjes së pronës dhe të drejtave të pakicave kombëtare nuk është çështje komoditeti politik. Ai është një detyrim kushtetues, një angazhim evropian dhe një realitet i pasqyruar në legjislacionin dhe institucionet tona.
Siç e kam theksuar edhe më parë, përfshirë kur iu përgjigja shqetësimeve të tua lidhur me rrugën evropiane të Shqipërisë në çështje që lidhen me grekët etnikë, jam plotësisht dakord se respektimi i shtetit të së drejtës është thelbësor. Pikërisht për këtë arsye, faktet duhet të përcaktohen nga institucionet kompetente dhe gjykatat, jo nga deklarata politike të lëshuara nga një vend tjetër dhe të formësuara nga konsiderata të politikës së brendshme.
Minoriteti Kombëtar Grek në Shqipëri është një pasuri që unë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Ai gëzon të drejta dhe mbrojtje as më shumë e as më pak se çdo qytetar tjetër shqiptar dhe unë punoj çdo ditë për t’i forcuar ato, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë greke.
Për këtë arsye kam besim se do të biesh dakord që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë shërbehen më mirë nga faktet sesa nga supozimet, si dhe nga respekti për shtetin e së drejtës dhe institucionet e vendeve fqinje, sesa nga spekulimet politike.
Duke të uruar suksese në zgjedhjet e ardhshme, shpresoj sinqerisht që partia juaj e re të tregojë se lëvizjet e reja politike nuk kanë pse të bien në të njëjtat modele të njohura të debatit publik, përfshirë tundimin për të mobilizuar mbështetësit rreth flamurit përmes përfundimeve të nxituara për fqinjët dhe institucionet e tyre sovrane.
Në fund të fundit, Evropa ka nevojë për më pak reflekse të së kaluarës dhe më shumë besim te faktet, institucionet dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Me të gjitha të mirat, miku im i vjetër.
My dear @atsipras
I hope you are in great shape.
Sorry to bother, but I wanted to share my amazement at how quickly even your new party has contributed to transforming a completely isolated incident into a matter of broader political significance, dismissing established facts…
— Edi Rama (@ediramaal) June 1, 2026
