Ambasada Britanike në Kosovë ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend. Kjo ambasadë ka kërkuar nga akterët politikë që urgjentisht të negociojnë dhe arrijnë një marrëveshje në të mirë të popullit.
Në reagim thuhet se gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka qenë pa parlament plotësisht funksional për shumë ditë. E sipas tyre, kjo është përgjegjësi e politikanëve të Kosovës.
“Parlamenti është zemra e demokracisë. Ai mban qeverinë për llogari dhe mundëson legjislacionin që mund ta çojë shoqërinë dhe ekonominë përpara. Kosova ka qenë pa parlament plotësisht funksional për shumë ditë në dy vitet e fundit. Kjo është përgjegjësi e politikanëve të Kosovës jo e sistemit të saj. Ata tani urgjentisht duhet të punojnë së bashku për zgjidhjen e kësaj situate përmes dialogut dhe negociatave paqësore, për të mirën e popullit të mrekullueshëm të Kosovës dhe partneriteteve ndërkombëtare të saj”, thuhet në reagim.
Sot, sërish kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka kërkuar kohë shtesë për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit të Kosovës, deri siç tha ai të ketë marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit. Pas kësaj, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj e ka gjuajtur me vezë liderin e LVV-së Albin Kurti, nga u krijua një rrëmujë në kuvend.
Në fund, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ndërpreu punimet e vazhdimit të seancës.
