Forcat Speciale RENEA janë angazhuar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, bashkë me strukturat e tjera të Operacionale, në mbështetje të një operacioni të gjerë që SPAK dhe BKH-ja kanë ndërmarrë në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte.
Newsbomb.al mëson se veç kontrolleve në shtëpitë e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të shtetit, duke përfshirë ish-kryepolicin Ilir Proda dhe drejtuesen e Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni, në agim është rrethuar edhe territori i Troplinëve në Shkozet.
Siç shihet nga këto pamje, efektivë të Forcave Speciale RENEA dhe shërbimet operacionale të Durrësit kanë rrethuar “bazën” e fisit Troplini në zonën e Shkozetit dhe janë ushtruar kontrolle në disa shtëpi e ambiente të tjera, pronë e tyre.
Zona njihet si bazë e Visit të Pojës, gjithashtu i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, dhe dallohet për nivelin e lartë të sigurisë që anëtarët e grupit garantojnë. Në rrugët e lagjes janë vendosur kamera sigurie dhe blloqe betoni të përshtatur fiks sa gjerësia e makinës, në mënyrë që asnjë mjet të futet apo të dalë me shpejtësi, si masë e ndonjë atentati të mundshëm.
Pikërisht, për shkak të sigurisë së lartë që anëtarët e grupit të Visit të Pojës garantojnë në zonë, Forcat Speciale dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit e kanë rrethuar atë prej orëve të mbrëmjes së djeshme dhe sot në mëngjes, sapo ka zbardhur dita, kanë nisur bastisjet.
