Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur pretendimet e tij ndaj Kosovës dhe ka kërkuar forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake të Serbisë gjatë ceremonisë së promovimit të 130 oficerëve të rinj të Ushtrisë Serbe.
Në fjalimin e tij, Vuçiq deklaroi se Kosova është pjesë e Serbisë “sipas Kushtetutës dhe drejtësisë së Zotit”, duke u bërë thirrje oficerëve të rinj që, siç u shpreh ai, ta “ruajnë” atë që e cilësoi si “shenjtëri”.
Këto deklarata kanë nxitur reagime, pasi paraqesin vazhdimësi të retorikës së Beogradit zyrtar ndaj Kosovës dhe vijnë në një kohë kur procesi i dialogut Kosovë–Serbi synon normalizimin e marrëdhënieve dhe uljen e tensioneve në rajon.
Hoxha: Bazuar në këto, Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme
Eksperti i sigurisë, Valdet Hoxha vlerëson se presidenti serb Aleksandër Vuçiq vazhdon me politika që, sipas tij, rrezikojnë stabilitetin në Ballkan, duke kombinuar pjesëmarrjen në dialog me retorikë nxitëse ndaj Kosovës.
Ai për “Bota sot” shton se sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc tregojnë se këto deklarata nuk duhen nënvlerësuar.

Ekspert i sigurisë, Valdet Hoxha
“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është politikan autoritar, i cili vazhdon të qeverisë sipas modelit të Sllobodan Millosheviqit, duke krijuar politika dhe situata që kërcënojnë stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor.
Për dallim nga mentori i tij, Millosheviqi, Vuçiqi është edhe më djallëzor, pasi në njërën anë merr pjesë në dialogun Kosovë–Serbi, duke nënshkruar shumë marrëveshje dhe duke tentuar të luajë rolin e aktorit “konstruktiv”, ndërsa në anën tjetër, përmes gjuhës nxitëse, deklaratave publike kundër njohjes së Republikës së Kosovës dhe krijimit të narrativave të rreme se gjoja komuniteti serb në Kosovë është i rrezikuar, mban gjallë retorikën luftënxitëse ndaj Kosovës.
Se këto deklarata dhe kjo retorikë nacionaliste e luftënxitëse e Vuçiqit nuk duhet të neglizhohen, e tregojnë rastet e sulmeve terroriste në Banjskë dhe në Ibër-Lepenc, të kryera nga struktura të mirëfinancuara, të organizuara dhe të trajnuara në Serbi, gjë që është konfirmuar edhe pas hetimeve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me ndihmën e mekanizmave të sigurisë së partnerëve ndërkombëtarë”, thotë ai.
Hoxha nënvizon se Serbia vazhdon të ketë pretendime ndaj Kosovës dhe se Prishtina duhet të forcojë kapacitetet mbrojtëse, ushtrinë dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin.
“Pra, nuk është ndonjë sekret se Serbia ka pasur dhe vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës. Kjo nuk e befason askënd, sepse në Serbi nuk kanë ndryshuar as aktorët politikë, as politikat hegjemoniste e gjenocidale, e as nuk janë shuar apetitet për spastrim etnik në Kosovë.
Bazuar në këto, Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme në dy drejtime: së pari, të vazhdojë ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse, duke ndërtuar një ushtri sipas standardeve të NATO-s dhe duke krijuar një model të “Smart Defense” me vende si Shqipëria, Kroacia, Bullgaria etj.; dhe së dyti, të forcojë partneritetin dhe të koordinojë vendimet strategjike të mbrojtjes, jo vetëm me partnerin tonë strategjik, SHBA-në, por edhe me Britaninë e Madhe dhe vendet e Bashkimit Evropian, aleate në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës” – nënvizon ai.
Racaj: Deklarata të tilla rrisin tensionet politike dhe të sigurisë në rajon
Kurse, Prof. Dr. Muhamet Racaj, ekspert i sigurisë mbrojtjes dhe gjeopolitikës, tha se deklaratat e Vuçiqit për Kosovën janë pjesë e një narrative politike që synon ta mbajë të hapur çështjen e Kosovës dhe të ndikojë në politikën e brendshme e të jashtme të Serbisë.
Ai thekson se një qasje e tillë rrit tensionet dhe dëmton procesin e dialogut e stabilitetin rajonal.

Prof. Dr. Muhamet Racaj
“Deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, të bëra gjatë promovimit të oficerëve të rinj të Ushtrisë Serbe, nuk janë vetëm retorikë politike e zakonshme, por përfaqësojnë vazhdimësinë e një narrative shtetërore që synon ta mbajë të hapur çështjen e Kosovës dhe ta përdorë atë si instrument të politikës së brendshme dhe të jashtme. Kjo qasje bie ndesh me frymën e dialogut, me parimet e fqinjësisë së mirë dhe me aspiratat për stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Po. Deklarata të tilla rrisin tensionet politike dhe të sigurisë në rajon. Kur një president flet para oficerëve të rinj duke e paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë dhe duke i ngarkuar ushtrisë një mision politik, ai dërgon një mesazh që mund të interpretohet si sfidë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Kjo nuk kontribuon në paqe, por ushqen mosbesimin dhe rrezikon stabilitetin rajonal.
Dialogu kërkon njohjen e realitetit politik dhe respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Serbia nuk mund të pretendojë se është e përkushtuar ndaj normalizimit të marrëdhënieve, ndërkohë që udhëheqja e saj vazhdon të mohojë shtetësinë e Kosovës dhe të përdorë retorikë që bie në kundërshtim me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Një qasje e tillë minon besueshmërinë e vetë procesit”, tha ai për “Bota sot”.
Racaj thekson se modernizimi i ushtrisë serbe merr dimension shqetësues kur shoqërohet me retorikë politike ndaj Kosovës.
Sipas tij, përdorimi i çështjes së Kosovës në diskursin politik të Serbisë shërben edhe për mobilizim nacionalist dhe forcim të pushtetit.
“Çdo shtet ka të drejtë të zhvillojë kapacitetet e tij mbrojtëse. Megjithatë, kur modernizimi ushtarak shoqërohet me deklarata politike kundër një shteti fqinj dhe me pretendime territoriale, ai fiton një dimension presioni dhe intimidimi. Kjo është veçanërisht shqetësuese në një rajon me histori konfliktesh, ku perceptimi i kërcënimit ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë kolektive.
Kosova mbetet tema kryesore mobilizuese e nacionalizmit serb. Në periudha sfidash politike, ekonomike apo sociale, rikthimi i narrativës për Kosovën përdoret për të devijuar vëmendjen e opinionit publik dhe për të forcuar unitetin rreth udhëheqjes politike. Kjo strategji është përdorur prej vitesh dhe vazhdon të jetë pjesë e diskursit zyrtar në Serbi.
Ka shumë tregues që po. Lidhja e ushtrisë me narrativën politike për Kosovën krijon një atmosferë patriotizmi emocional, e cila shpesh shfrytëzohet për të rritur mbështetjen ndaj pushtetit. Historia ka dëshmuar se instrumentalizimi i çështjeve kombëtare për interesa të politikës së brendshme nuk prodhon stabilitet, por tensione të panevojshme dhe pengon ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme në rajon”, theksoi ai.
Në përfundim, ai shtoi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor kërkon dialog, bashkëpunim dhe respektim të sovranitetit të shteteve.
“Ballkani Perëndimor ka nevojë për lidership që promovon paqen, dialogun dhe respektimin e realitetit ndërkombëtar, jo për retorikë që ringjall narrativat e së kaluarës. Stabiliteti rajonal ndërtohet mbi respektin reciprok, bashkëpunimin dhe njohjen e sovranitetit të shteteve. Çdo deklaratë që sfidon këto parime rrit pasigurinë dhe dëmton perspektivën evropiane të rajonit” – përfundoi ai për “Bota sot”.
