Aktuale

Reuters “bën me dhimbje koke” Ramën, transmeton sërish LIVE protestën në Tiranë

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” ka transmetuar sërish drejtpërdrejt protestën qytetare që po zhvillohet në Tiranë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Marshimi ka hyrë në ditën e tij të dhjetë, ndërsa protestuesit vijojnë të mblidhen çdo ditë në kryeqytet për të shprehur kundërshtimin ndaj politikave të qeverisë dhe për të ngritur shqetësime që, sipas tyre, prekin një gamë të gjerë çështjesh në vend.

Protesta nisi fillimisht si një reagim kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, por me kalimin e ditëve është zgjeruar dhe është shndërruar në një lëvizje që përfaqëson pakënaqësi më të gjera qytetare.

Në raportimin e saj, “Reuters” thekson origjinën e protestës dhe lidhjen e projektit me investitorë amerikanë.

“Shqiptarët po protestojnë kundër një resorti luksoz të planifikuar, i mbështetur nga një kompani e lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, në një zonë ekologjikisht të ndjeshme të bregdetit Adriatik”, shkruan Reuters.

Vëmendja e medias ndërkombëtare ndaj protestës është rritur ditët e fundit, ndërsa pjesëmarrësit këmbëngulin se lëvizja e tyre nuk kufizohet më vetëm te çështja e Zvërnecit, por përfaqëson shqetësime më të gjera që lidhen me qeverisjen, mjedisin dhe interesin publik.

Të Ngjashme