Protesta e qytetarëve kundër qeverisë ka hyrë në ditën e 51-të, ndërsa mijëra persona vijojnë të mblidhen në kryeqytet duke kërkuar ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Me pankarta dhe thirrje kundër mazhorancës, protestuesit deklarojnë se rezistenca e tyre do të vijojë dhe se kërkesat janë të panegociueshme.
Në marshimin në rrugët e Tiranës, jehojnë thirrjet: “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.
Qytetarët kanë shprehur pakënaqësi ndaj klasës politike, duke e akuzuar atë për korrupsion dhe mungesë përfaqësimi. Ata kanë drejtuar kritika edhe ndaj Kuvendit, duke e cilësuar atë si një institucion që nuk i shërben interesit të qytetarëve.
“Në datën 23 duhet të jemi këtu, të mos mungojmë”, u shpreh një prej aktivistëve gjatë protestës, duke bërë thirrje për vijimin e pjesëmarrjes qytetare.
Ndërkohë, protestuesit kanë vijuar me slogane kundër deputetëve dhe Parlamentit. “Jo më Zegjine”, “140 deputetë, të gjithë analfabetë” dhe “Parlament i krimit” ishin disa prej thirrjeve tëdëgjuara gjatë marshimit.
Protesta vijon prej 51 ditësh me kërkesën kryesore për largimin e Ramës dhe një ndryshim të thellë në mënyrën e qeverisjes.
