Lajme

Rikthehen fluturimet në SHBA pas kaosit në aeroporte – rreth 10 mijë anulime për shkak të një defekti në sistemin e trafikut ajror

Sipas faqes së internetit për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24, deri të shtunën janë anuluar pothuajse 10,000 fluturime drejt dhe nga aeroportet amerikane.

Ajo raporton se Delta Air Lines dhe American Airlines kanë anuluar secila më shumë se 2,200 fluturime. United ka anuluar 1,800, ndërsa Southwest pothuajse 1,400.

Ndërkohë, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, SHBA-ja rifillon fluturimet pasi një dështim në rrjetin e trafikut ajror shkaktoi kaos.

Të premten, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) hoqi ndalimin mbarëkombëtar të fluturimeve, pasi një dështim në komunikim në qendrat e kontrollit të trafikut ajror shkaktoi kaos në aeroportet amerikane dhe solli ndërprerjen më të gjatë që nga sulmet e 11 shtatorit 2001.

Sekretari i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se hapësira ajrore amerikane u rihap në orën 20:15 sipas orës së bregut lindor, por paralajmëroi se nisjet do të rifillonin gradualisht dhe se kompanive ajrore do t’u duhej kohë për të rikthyer operacionet normale.

“Do të jetë një proces i ngadaltë”, u tha Duffy gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Duffy bëri të ditur se dhjetëra mijëra pasagjerë mbetën të bllokuar në aeroporte anembanë vendit.

Ai shtoi se, së bashku me Sekretarin e Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, ishin takuar me presidentin Donald Trump në Zyrën Ovale për të diskutuar mbi këtë ndërprerje.

Ky dështim është shenja më e fundit dhe më dramatike e vështirësive me të cilat përballet sistemi amerikan i kontrollit të trafikut ajror, i cili vuan nga teknologjia e vjetëruar, probleme me pajisjet dhe komunikimin, si dhe nga mungesa e mijëra kontrollorëve të trafikut ajror.

Duffy tha se problemet filluan në orën 15:36, kur qendrat e kontrollit të trafikut ajror përjetuan paqëndrueshmëri në sistemet e radarit dhe të komunikimit.

Duffy theksoi se problemi i menjëhershëm është zgjidhur dhe se fluturimet janë të sigurta, por paralajmëroi se nevojitet një rinovim më i gjerë i sistemit të vjetruar të kontrollit të trafikut ajror, për të parandaluar dështime të ngjashme në të ardhmen.

E Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Mullin, deklaroi se deri më tani nuk ka “asnjë provë” që ndërprerja të ketë ardhur si pasojë e një sulmi kibernetik apo e një sistemi të inteligjencës artificiale që ka dalë jashtë kontrollit, ndonëse hetuesit nuk e kanë përjashtuar asnjërën nga këto mundësi.

“Duket se shkaku ka qenë teknik/mekanik, megjithatë, hetimet vazhdojnë”, ka thënë Mullin.

Ai shtoi se Agjencia e Sigurisë Kombëtare po bashkëpunon me Departamentin e Sigurisë Kombëtare në kuadër të hetimeve.

Të Ngjashme