Lajme

“Rikthim në familje por me…”, Bajqinovci godet Osmanin: Kur nuk e merr pozitën, largohet dhe kërkon votë diku tjetër

Ish-deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka reaguar ndaj zhvillimeve politike që lidhen me raportet ndërmjet Lidhja Demokratike e Kosovës dhe presidentes Vjosa Osmani.

Përmes një deklarate publike, Bajqinovci ka ironizuar mënyrën se si LDK-ja po e paraqet Osmanin si “rikthim në shtëpi”, duke theksuar se ajo po garon me subjekt të veçantë politik dhe me kërkesa për pozita të larta shtetërore.

“LDK-ja po e paraqet Vjosa Osmanin si ‘rikthim në shtëpi’, por ajo po shkon me parti të vetën, me listë të ndarë dhe me kërkesë për pozitë për vete”, ka shkruar ai.

Sipas Bajqinovcit, nuk mund të flitet për rikthim në familje politike nëse, siç tha ai, nuk pranohet të jesh pjesë e asaj strukture.

Ai ka kujtuar edhe bashkëpunimin e mëhershëm të Osmanit me kryeministrin Albin Kurti, duke pretenduar se ai ka zgjatur vetëm deri në momentin kur ajo ka marrë pozitën që dëshironte.

“Kur nuk e merr pozitën, nuk qëndron”, ka deklaruar Bajqinovci.

Në fund, ish-deputeti i LVV-së ka vlerësuar se edhe situata aktuale po dëshmon të njëjtin model politik, duke shtuar se “pozita po vihet para bashkimit dhe vetja para të gjithëve”.

Shkrimi i plotë:

Shihni sa interesant!

LDK-ja po e paraqet Vjosa Osmanin si “rikthim në shtëpi”, por ajo po shkon me parti të vetën, me listë të ndarë dhe me kërkesë për pozitë për vete.

Nuk mundesh me thënë “po kthehem në familje”, por mos me pranu me qenë pjesë e asaj familjeje.

Asgjë e re. Edhe me Albinin bashkëpunimi zgjati derisa e mori pozitën që donte. Kur nuk e merr pozitën, nuk qëndron.

Njëjtë po ndodh edhe sot: pozita para bashkimit, vetja para krejtve. E kur nuk e merr votën dhe pozitën që e kërkon, do ta gjeni prapë duke kërkuar votë dhe pozitë diku tjetër.

Të Ngjashme