Aktuale

Rita Ora zbulon sendin që e mban gjithmonë me vete: Jam supersticioze, ne shqiptarët jemi rritur me besëtytni

Ylli i muzikës, Rita Ora ka ndarë një detaj më personal nga jeta e saj, duke zbuluar se mban gjithmonë me vete një varëse të veçantë me kristale, të cilën e konsideron një burim qetësie dhe ekuilibri përballë ritmit të vrullshëm të karrierës.

Në një intervistë për “The New York Times”, këngëtarja me origjinë shqiptare tregoi se varësja ishte dhuratë nga një prej mikeshave të saj më të afërta me rastin e 34-vjetorit. Sipas artistes, ajo është krijuar posaçërisht për të, me kristale të përzgjedhura në bazë të energjisë dhe simbolikës që mbart secili prej tyre.

“Është një lloj objekti që më ndihmon të çliroj stresin dhe të ruaj energjinë time. Në këtë industri është shumë e lehtë të humbasësh ekuilibrin, ndaj kjo më ndihmon të qëndroj e përqendruar”, u shpreh artistja.

Rita zbuloi se varësja përmban citrin, që simbolizon energjinë pozitive dhe gëzimin, kuarc të tymosur për ta mbajtur me këmbë në tokë, ametist të gjelbër për të ushqyer pafajësinë dhe kuarc të pastër për të forcuar synimet dhe vetëdijen.

Edhe pse pranon se nuk mund ta shpjegojë shkencërisht ndikimin e kristaleve, ajo beson se energjia që ato përcjellin është reale.

“Ndoshta është thjesht psikologjike, por ndihem e mbrojtur. Ndihem më e qëndrueshme. Nuk e di nëse është placebo, por besoj se këto gjëra mbajnë energji dhe energjia është reale”, tha Rita.

Artistja shtoi se varësen e mban pothuajse gjithmonë me vete.

“E vendos sa herë që mundem. Ndërroj shpesh veshjet, kështu që nëse nuk përputhet me to, e mbaj në çantë. Është gjithmonë me mua”, tregoi ajo.

Gjatë intervistës, Rita Ora foli edhe për ndikimin që traditat shqiptare kanë pasur në jetën e saj, duke pranuar se është supersticioze dhe se është rritur me besime popullore që i kujton ende me nostalgji.

“Po, jam supersticioze. Mendoj se ne, evropianët lindorë, sidomos unë që vij nga një familje shqiptare, jemi rritur me besëtytni. Gjyshja ime bënte gjithmonë rituale nën dritën e hënës së plotë dhe lexonte filxhanin e kafesë të kthyer përmbys, sikur të ishte një hartë e së ardhmes”, rrëfeu ajo.

Në aspektin profesional, Rita Ora vijon të jetë e angazhuar me disa projekte njëkohësisht.

Aktualisht, ajo po promovon filmin “Descendants: Wicked Wonderland”, ku interpreton rolin e Mbretëreshës së Zemrave. Ndërkohë, ka përfunduar edhe xhirimet e filmave “Honeymoon With Harry” dhe “Voltron”, teksa paralelisht po punon për këngë të reja dhe vazhdon turneun e saj me koncerte në Evropë.

Të Ngjashme