Aktuale

Rregulla të reja për peshkimin, synohet rritja e gjurmueshmërisë dhe e cilësisë

Këshilli i Ministrave miratoi dje një vendim të ri që përcakton mënyrën e organizimit dhe funksionimit të tregut të produkteve të peshkimit dhe akuakulturës, si dhe formën dhe përmbajtjen e planeve të prodhimit dhe marketingut për këtë sektor.

Vendimi, i propozuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, synon forcimin e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve detare, rritjen e transparencës në treg dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së prodhuesve vendas në zinxhirin e furnizimit.Sipas relacionit që shoqëron këtë dokumentit, organizatat e prodhuesve të peshkimit dhe akuakulturës do të kenë një rol qendror në planifikimin e prodhimit, marketingun dhe koordinimin e tregut, përmes planeve të detyrueshme të prodhimit dhe tregtimit që do të miratohen nga ministria përkatëse.

Vendimi parashikon gjithashtu krijimin dhe fuqizimin e organizatave ndërsektoriale, të cilat do të synojnë përmirësimin e koordinimit mes prodhuesve, përpunuesve dhe tregtarëve, si dhe rritjen e cilësisë dhe gjurmueshmërisë së produkteve në treg.

Një tjetër risi e rëndësishme është vendosja e standardeve të reja të marketingut dhe etiketimit të produkteve të peshkimit, duke përfshirë informacion të detyrueshëm për origjinën, metodën e prodhimit, zonën e zënies dhe karakteristikat e produktit, me qëllim informimin më të mirë të konsumatorëve.

Po ashtu, vendimi parashikon mekanizma për stabilizimin e tregut, përfshirë mbështetje financiare për ruajtjen e përkohshme të produkteve kur nuk arrihet çmimi kufi i shitjes, si dhe masa për menaxhimin e ofertës në treg.Zbatimi i këtij vendimi do të mbikëqyret nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, institucionet e shërbimeve të peshkimit dhe strukturat e inspektimit, të cilat do të garantojnë përputhshmërinë me rregullat e reja dhe objektivat e qëndrueshmërisë në sektor. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Të Ngjashme