PËRGATITI: SARA SHEHU
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, vetëm për 6 muaj, janë regjistruar 900 raste me kancer. Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, thotë se ky numër është 10% më i lartë, krahasuar me vitin e kaluar. Por nga ana tjetër, familjarët e pacientëve ankohen se me vështirësi po e sigurojnë terapinë për kurim.
Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është e mbushur me pacient të diagnostikuar me kancer.
Statistikat në këtë klinikë flasin për shtim të rasteve me këtë sëmundje, krahasuar me vitin e kaluar.
“900 raste të reja janë regjistruar me kancer, domethënë 10% më shumë sesa në vitin 2022, ku kanë qenë total 1800 raste, në bazë të kësaj në këtë vit ky numër pritet të arrijë në 2000. Në këtë rritje dominon kanceri i gjiri, 250 raste, kurse te meshkujt kanceri i mushkërive. Kemi rritje edhe të kancerit të pankreasit, kemi deri në 40 raste me terapi dhe krahasuar me vitet e kaluara ky numër është ngritur, numri i terapive do të shtohet nga 45 në 90”.
Tutje, Kurtishi ka përmendur disa nga shkaktarët që kanë ndikuar në rritjen e këtyre shifrave.
“Ka shumë faktorë që ndikojnë në mënyrë direkte dhe indirekte, janë faktorët trashëgues, infeksionet virale, ambienti i ndotur, ekspozimi në rreze të diellit dhe faktorë të ndryshëm që shtyjnë në këto sëmundje”.
Autoritetet përgjegjëse thonë se janë duke punuar që vërejtjet shëndetësore të respektohen dhe vetëdijesimi i qytetarëve të rritet.
“Mbështetur në hulumtime, kosovarët shpenzojnë në bazë vjetore afro 400 milionë euro për duhan. Pirja e duhanit renditet si faktor i madh i rrezikut që çon në Kancer të Mushkërive. Po ashtu, ushqimi llogaritet një nga shkaktarët për shumë lloje të kancerit, siç është kanceri i lukthit, i zorrës së trashë, mëlçisë, pankreasit. Ne jemi duke punuar sa më shumë për vërejtjet shëndetësore. Për parandalimin e duhanit, këtë vit për tre muaj janë inspektuar mbi 5000 subjekte afariste, kurse inspektorët janë detyruar të shqiptojnë gjoba në rreth 60 raste. Jemi duke punuar në zbatimin e ligjit për duhanin që të mos konsumohet shumë në mënyrë që të ulet edhe numri i pacientëve me kancer”.
Meqenëse nuk ka mjaftueshëm terapi për këto raste, familjarët e pacientëve të sëmurë me kancer po duhet t’i sigurojnë nga xhepi i tyre.
“Kom pas 4 raste me kancer në familje, është jashtëzakonisht e vështirë të sigurohet terapia, pjesa e kimioterapisë, po lindin probleme financiare. Një terapi normale kushton 400-600 euro”.
“E kam gruan me kimioterapi prej kancerit të pankreasit. Terapitë e para ka qenë më lehtë për t’i siguruar, por tani terapia e tretë vetëm një ampulë, po kushton 500 euro. Në total për tre muaj 40 mijë euro harxhohem”.
Ndryshe, menaxhmenti drejtues i klinikës në QKUK ka bërë të ditur se problematikë tjetër vazhdon të jetë edhe mungesa e infermierëve.