Aktuale

Rruga Milot – Balldren, sërish hija e Ballukut në tenderin 365 milionë euro, fitues kompania nën hetim nga SPAK

Rreth 365 milionë euro për 35 vjet. Kjo është vlera e parashikuar e koncesionit Milot-Balldren, rruga 17 kilometra e gjatë që do të ndërtohet dhe operohet nga katër kompani private.

E përkthyer në kilometra, fatura shkon në rreth 21.5 milionë euro për kilometër. Por jo e gjithë shuma është kosto ndërtimi.

Sipas dokumenteve të prokurimit, rreth 182.5 milionë euro parashikohen për ndërtimin dhe rehabilitimin ndërsa pjesa tjetër për projektimin, sistemin e pagesës, operimin dhe mirëmbajtjen gjatë 35 viteve. Vetëm ndërtimi llogaritet në rreth 10.7 milionë euro për kilometër.

Projekti përfshin edhe një tunel me dy tuba, secili rreth 850 metra, për anashkalimin e qytetit të Lezhës.

Fitues i garës së shpallur nga Ministria e Infrastrukturës është konsorciumi i kompanive “Salillari”, “ALB TIEFBAU” i Flamur Hoxhës, “InfraKonsult” e Redi Strugës dhe “ERALD-G” e Gëzim Ismailit.

Por mes emrave që do të zbatojnë kontratën 35-vjeçare, ka edhe persona që kanë përfunduar në dosjet e SPAK.

“ERALD-G” është në pronësi të Gëzim Ismailit, emri i të cilit është përmendur në hetimet për dosjen e njohur si “Grupi i Arubës”. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar publikisht se Ismaili është përfshirë në hetimet që lidhen me dyshime për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Në qershor 2026 u raportua edhe për masa sigurie të vendosura në kuadër të kësaj dosjeje.

Bëhet fjalë për hetime në zhvillim dhe jo për një konstatim fajësie. Por nuk është i vetmi emër.

Edhe Redi Struga i “InfraKonsult” është përfshirë në veprimet hetimore të SPAK. Në qershor, Prokuroria e Posaçme urdhëroi kontrolle në kuadër të hetimeve për dyshime mbi tjetërsimin e pronave në Zvërnec.

Pra, dy prej kompanive të konsorciumit që do të ndërtojë dhe operojë Milot-Balldrenin lidhen me persona të përfshirë në çështje që ndodhen aktualisht nën hetim.

Ndërkohë jo të gjitha detajet e marrëveshjes janë bërë publike.

Në regjistrin e prokurimeve rezultojnë konsorciumi fitues dhe vlera e parashikuar prej afro 365 milionë eurosh, por mungojnë ende të dhëna të rëndësishme të kontratës, përfshirë vlerën përfundimtare të kontraktuar, ndarjen e pjesëmarrjes mes katër kompanive dhe planin financiar të ofertës fituese.

Milot-Balldren është ndërkohë një projekt që vjen me precedent.

Në vitin 2018, koncesioni iu dha A.N.K., por kontrata u zgjidh më pas për mosplotësim të kushteve të financimit.

Auditimet e KLSH-së për procedurën e parë evidentuan problematika në dokumentacionin financiar, përfshirë mospërputhje në shumat dhe afatet e financimit të deklaruara.

Tetë vite më vonë, Milot-Balldren rikthehet për herë të dytë. Dhe këtë herë, dy prej emrave të lidhur me kompanitë fituese janë njëkohësisht në vëmendjen e SPAK. (TCH)

Të Ngjashme