Lajme

Rryma iku edhe në sallën e Kuvendit: Kosova hyn në regjim emergjence energjetike për 60 ditë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar pas mesnatës vendimin e Qeverisë për masat emergjente në furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë. Vendimi kaloi me 61 vota, në një seancë që vazhdoi deri në orët e para të së premtes, ndërsa pika u fut në rend dite përmes një mocioni.

Gravitetin e situatës e dëshmoi edhe vetë seanca: gjatë punimeve, energjia elektrike u ndërpre edhe në sallën e Kuvendit.

Çfarë parashohin masat

Sipas vendimit, ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci” detyrohet të prodhojë energji nga hidrocentrali i Ujmanit në periudhat kur kërkesa për konsum është më e lartë dhe t’ia shesë atë furnizuesit të shërbimit universal.

Po ashtu, themelohet Komiteti Teknik Emergjent, i cili do ta monitorojë situatën dhe do t’i propozojë Qeverisë masa shtesë nëse është e nevojshme. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se institucionet publike do të obligohen të ndërmarrin veprime për kursimin e energjisë elektrike.

Qeveria i ka ngarkuar gjithashtu Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), si obligim të shërbimit publik, sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit, për ta mbuluar mungesën e prodhimit nga njësia B1 e Termocentralit “Kosova B”.

Image
Ministrja Artane Rizvanolli

Pse u arrit deri këtu

Qeveria i kishte shpallur masat në mbledhjen e 16 nëntorit. Kryeministri Albin Kurti tha atëherë se situata është vështirësuar nga kufizimet e kapaciteteve prodhuese vendore dhe nga bllokimi i linjave të transmetimit të energjisë nga ana e Serbisë.

Ministrja Rizvanolli njoftoi se Zyra e BE-së në Kosovë, si autoritet kontraktues i projektit për instalimin e elektrofiltrave të rinj dhe të sistemit për reduktimin e oksideve të azotit në njësinë B1, ka lajmëruar se rikthimi i kësaj njësie në punë do të vonohet. Sipas planit, njësia duhej të rikthehej në operim më 25 nëntor.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria vendosi edhe ndalimin e tregtisë me energji elektrike me ndërmarrjet e identifikuara nga Serbia, duke përfshirë blerjen, shitjen, importin dhe eksportin, qoftë drejtpërdrejt, qoftë përmes tranzitit apo rishitjes. Kurti e paraqiti këtë si përgjigje ndaj bllokimit të vazhdueshëm të linjave ndërkufitare nga Serbia. Sipas tij, problemi nuk është blerja e energjisë nga Serbia, por pamundësia për ta përdorur infrastrukturën ekzistuese për të importuar energji nga vende të tjera.

Kosova e siguron pjesën dërrmuese të energjisë nga dy termocentralet me qymyr, Kosova A dhe Kosova B, ndërsa vetëm 6.4 për qind prodhohet nga era.

Opozita: Masat hapin rrugë për reduktime

Vendimi u kundërshtua nga opozita. Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, kërkoi dorëheqjen e ministres Rizvanolli, duke e bërë atë përgjegjëse për krizën energjetike. Kritika ndaj qasjes së Qeverisë në sektorin e energjisë pati edhe nga deputetja e LDK-së, Janina Ymeri.

Deputetja tjetër e LDK-së, Hykmete Bajrami, paralajmëroi në Facebook se tani, për 60 ditë, “energjia mund të ndërpritet në çdo kohë dhe në çdo vend”. Sipas saj, vendimi nuk e përmirëson furnizimin, por i mbron kompanitë KEDS dhe KESCO nga paditë për dëmet që shkaktojnë ndërprerjet. Bajrami vuri në dyshim edhe kontributin e Ujmanit, duke thënë se kapaciteti i tij i instaluar është rreth 30 megavat.

Ajo kujtoi se masat emergjente në sektorin e energjisë u shpallën për herë të parë më 21 dhjetor 2021 dhe tha se vetëm ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese mund ta parandalojë thellimin e krizës.

Miratohen edhe dy projektligje për energjinë

Gjatë së njëjtës seancë, Kuvendi miratoi në parim, po me 61 vota, Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, rreth orës 00:45. Rreth orës 01:15 u miratua në lexim të parë edhe Projektligji për Efiçiencën e Energjisë.

Të Ngjashme