Analisti politik Sadri Ramabaja ka komentuar zhvillimet e fundit brenda LDK-së, duke thënë se Kuvendi i jashtëzakonshëm i kësaj partie mund të sjellë një ndryshim të madh në kursin politik të saj.
Sipas Ramabajës, ekzistojnë dy skenarë kryesorë: zgjedhja e Hykmete Bajramit në krye të partisë ose marrja e drejtimit nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ai vlerëson se në rastin e parë LDK-ja mund të përballet me rrezikun e tkurrjes elektorale, ndërsa ardhja e Ramës në krye të partisë do të mund të shihej si një zbehje e dallimeve politike mes LDK-së dhe PDK-së.
Ramabaja paralajmëron se secili prej këtyre skenarëve mund të ndikojë në rolin e ardhshëm të LDK-së në skenën politike të Kosovës.
Shkrimi i plotë:
Dy skenarët e mundshëm të zhvillimeve politike brenda LDK-së
… Atë që Kuvendi i 1996-ës nuk arriti ta realizonte – transformimin e LDK-së nga brenda – duket se sot po e realizon një proces tjetër politik që po i paraprinë Kuvendit të jashtëzakonshëm. Jo përmes një bashkimi formal, por përmes ndikimit politik, rrjeteve të interesit dhe ndryshimit gradual të ekuilibrave të brendshëm të kësaj partie.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së pritet ta kurorëzojë këtë proces përmes njërit prej dy skenarëve, të cilët, ndonëse të ndryshëm në formë, mund të prodhojnë një rezultat të ngjashëm: dobësimin ose fundin e rolit të LDK-së si alternativë historike.
Skenari i parë lidhet me zgjedhjen e Dr. Hikmete Bajramit në krye të partisë. Ajo përfaqëson krahun më aktiv të rugovistëve brenda LDK-së dhe shihet si zëri më kritik ndaj afrimeve të mundshme me PDK-në.
Megjithatë, nëse nën drejtimin e saj LDK-ja do ta shtynte vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare në vjeshtë, rreziku i një tkurrjeje të mëtejshme elektorale do të ishte i konsiderueshëm.
Në këtë rast, LDK-ja mund të hynte në një fazë të re të dobësimit politik, duke mbetur një subjekt me peshë historike, por me ndikim gjithnjë e më të kufizuar në skenën politike.
Skenari i dytë lidhet me emrin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Nëse ai do të merrte drejtimin e LDK-së, ky akt nuk do të ishte thjesht një ndërrim lidershipi. Ai do të mund të interpretohej si sinjali më i qartë se kufiri politik ndërmjet LDK-së dhe PDK-së është zbehur deri në pikën e humbjes së dallimeve strategjike.
Në planin politik, ky zhvillim do të nënkuptonte transformimin e LDK-së nga një alternativë historike ndaj PDK-së në një subjekt komplementar të saj.
