Lajme

​Salihu: Vizita e Vuçiqit në Luginën e Preshevës, politikë selektive

Afaristi dhe humanisti shqiptar Muharrem Salihu ka reaguar ndaj vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fshatrat e banuara me serbë në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar atë si mesazh politik dhe politikë selektive.

Salihu ka shkruar në Facebook se, Vuçiq, gjatë vizitave të tij në Medvegjë, është ndalur vazhdimisht në zonat e banuara me serbë, por asnjëherë në fshatrat shqiptare.

“Vizita e presidentit të Serbisë, Vuçiq, në fshatrat serbe të Luginës së Preshevës nuk është thjesht një vizitë. Ajo është një mesazh politik. Në Medvegjë, presidenti Vuçiq i ka vizituar vazhdimisht zonat e banuara me serbë, por asnjëherë fshatrat e banuara me shqiptarë. Edhe kjo nuk është aspak rastësi. Është politikë selektive”, ka shkruar Salihu.

Ai ka kritikuar edhe heshtjen e partive politike shqiptare në rajon, të cilat, sipas tij, reagojnë vetëm kur problemet bëhen të pamundura për t’u shpërfillur.

Salihu ka thënë se gjendja në Medvegjë është veçanërisht e rëndë, pasi shqiptarët kërkojnë të drejtat e tyre, ndërsa administrata shtetërore sillet sikur ata të mos ekzistonin.

Sipas tij, kthimi i adresave të shqiptarëve të Medvegjës duhet të trajtohet si kërkesa kryesore dhe jo si çështje dytësore.

“Pa ekzistencë administrative, nuk ka barazi reale. Pa adresë, nuk ka të drejtë të sigurt. Pa kthimin e njerëzve në evidencat zyrtare, çdo premtim për të drejtat tona themelore mbetet vetëm fjalë”, ka theksuar ai.

Duke komentuar reagimet nga Presheva për vizitat selektive të Vuçiqit, Salihu ka thënë se shqiptarët e Medvegjës janë përballur shumë më herët dhe vazhdimisht me këtë qasje.

“I kuptoj dhe i ndiej mjaft mirë reagimet e Preshevës për vizitat selektive të presidentit Vuçiq. Vetëm se ne në Medvegjë e kemi parë këtë film më herët dhe jo vetëm një herë”, ka shtuar Salihu.

Ai ka kërkuar që Medvegja të mos mbetet më në periferi të vëmendjes shqiptare, duke e cilësuar atë si provën kryesore për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

“Medvegja është banka e provës. Në Medvegjë provohet nëse të drejtat e shqiptarëve në Serbi janë parim i panegociueshëm apo thjesht deklaratë politike”, ka përfunduar Salihu.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dje ka qëndruar në Bujanoc dhe Preshevë. Ai vizitojë dy vendbanime, Llopardincën në Bujanoc dhe fshatin Strezoc në Preshevë. 

Të Ngjashme