Lajme

Senati i Universitetit të Prishtinës miraton deklaratë për luftën çlirimtare të Kosovës

Senati i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e mbajtur dje miratoi një deklaratë në lidhje me luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri, demokraci e pavarësi. Universiteti i Prishtinës shpreh bindjen e tij të palëkundur se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme, objektive dhe e mbështetur në prova, standarde të së drejtës dhe parimet themelore të procesit të rregullt gjyqësor.

“Universiteti beson se drejtësia e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi paragjykime kolektive.

Në të njëjtën kohë, universiteti vlerëson se historia e luftës së Kosovës nuk mund të shkëputet nga konteksti politik, shoqëror dhe humanitar, në të cilin ajo u zhvillua. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte pjesë e përpjekjes së popullit të Kosovës për mbrojtjen e shtëpisë, jetës, dinjitetit njerëzor, lirisë individuale dhe kolektive, si dhe të së drejtës për të jetuar i lirë nga represioni dhe dhuna. Kjo luftë u zhvillua në një kontekst të dhunës sistematike, dëbimeve masive dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës, të shoqëruara me shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare. Këto zhvillime përbëjnë pjesë të dokumentuara të historisë së Kosovës dhe të kontekstit, në të cilin duhet të kuptohet lufta e saj për liri. Për rrjedhojë, çdo trajtim serioz i kësaj periudhe duhet ta marrë parasysh këtë realitet historik dhe humanitar. Mbështetja dhe ndërhyrja e NATO-s duhet të kuptohen në kontekstin e krizës humanitare, të dhunës së përhapur, të dëbimeve të popullsisë dhe të nevojës për mbrojtjen e saj.

Po kështu, universiteti i referohet opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010, në të cilin gjykata arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Universiteti i Prishtinës beson se e vërteta historike duhet të kërkohet përmes dokumenteve, dëshmive, kërkimit shkencor dhe debatit të hapur akademik. E vërteta për luftën e Kosovës nuk duhet të ndërtohet mbi mohimin, relativizimin apo instrumentalizimin politik të historisë, por mbi shqyrtimin kritik dhe të përgjegjshëm të fakteve.

Institucioni më i madh publik i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Kosovë, Universiteti i Prishtinës mbetet i hapur dhe i gatshëm të kontribuojë me të gjitha kapacitetet e tij akademike, shkencore dhe institucionale në dokumentimin, studimin dhe ndriçimin e së vërtetës historike për luftën çlirimtare të Kosovës, për dëbimin dhe dhunën sistematike të ushtruar ndaj popullsisë civile, për përvojën e viktimave dhe të të zhvendosurve, si dhe për rrugën që çoi drejt lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ky është një detyrim ndaj së vërtetës, ndaj viktimave dhe brezave që e përjetuan luftën, por edhe ndaj brezave të rinj që kanë të drejtë ta njohin historinë e vendit të tyre mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe standardeve akademike.

Universiteti i Prishtinës do të vazhdojë ta mbrojë lirinë akademike, kërkimin shkencor dhe të drejtën për ta studiuar historinë e Kosovës pa frikë, pa presion dhe pa ndërhyrje politike. Universiteti mbetet i gatshëm të vërë në dispozicion ekspertizën dhe kapacitetet e tij akademike për çdo përpjekje serioze që synon dokumentimin dhe ndriçimin e së vërtetës historike për luftën e Kosovës, rrugën e saj drejt lirisë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës” thuhet në deklaratë.

Të Ngjashme