Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim një delegacion amerikan të kryesuar nga Daniel Serwer, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Delegacioni amerikan ishte pjesë e iniciativës “America250” dhe përbëhej nga profesorë, udhëheqës organizatash, veteranë ushtarakë dhe aktivistë të kësaj nisme.
Gjenerallejtënant Jashari ka falënderuar delegacionin për vizitën dhe për angazhimin e tyre në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke vlerësuar lart mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet FSK-së dhe institucioneve amerikane të mbrojtjes.
Ai i ka informuar anëtarët e delegacionit mbi zhvillimet aktuale në FSK, avancimin e kapaciteteve të saj dhe rolin që ajo luan në garantimin e sigurisë së vendit dhe stabilitetit rajonal.
Nga ana tjetër, Serwer dhe delegacioni amerikan kanë vlerësuar zhvillimin dhe të arriturat e FSK-së, si dhe kontributin e saj në misionet ndërkombëtare.
Gjatë takimit është diskutuar edhe situata e sigurisë në rajon, si dhe rëndësia e avancimit të FSK-së drejt integrimit në strukturat euroatlantike, përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian.
Në përmbyllje të takimit, gjenerallejtënant Jashari ka uruar delegacionin amerikan me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së, duke theksuar miqësinë e qëndrueshme ndërmjet dy vendeve dhe vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe partneritetit strategjik.
Palët kanë riafirmuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe institucioneve amerikane të mbrojtjes, duke vlerësuar se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës mbetet faktor kyç për sigurinë dhe paqen në rajon.
