Tre persona të akuzuar për tentativë zhvatjeje ndaj një biznesmeni në Selanik janë lënë në burg me vendim të gjykatës këtë të martë (23 prill). Bëhet fjalë për dy shtetas shqiptarë, 43 dhe 34 vjeç, si dhe një grek 23-vjeçar, të cilët, pasi dhanë shpjegime para hetuesit, u vendosën në masën e sigurisë “arrest me burg”.
Sipas mediave greke, të tre të dyshuarit kanë mohuar akuzat ndaj tyre, ndërsa si drejtues i grupit konsiderohet një tjetër shqiptar, i cili ndodhet tashmë i burgosur dhe dyshohet se jepte urdhra nga qelia.
Ngjarja u zbulua pas kallëzimit të menaxherit të një koncesionari makinash në zonën Vasilissis Olga, i cili denoncoi se ishte kërcënuar për t’u detyruar të paguante fillimisht 200 mijë euro. Sipas dëshmisë së tij, kërkesa ishte bërë përmes komunikimeve telefonike nga i burgosuri, i cili përdorte pretekste të rreme dhe kërcënonte me jetë.
Biznesmeni ka deklaruar gjithashtu se pas denoncimit, ndaj pronës së tij janë kryer sulme me kokteje Molotov dhe janë qëlluar armë zjarri, duke rritur presionin ndaj tij. Në një moment të dytë, përmes një personi që kishte marrë rolin e “negociatorit”, shuma e kërkuar u ul në 100 mijë euro, por kërcënimet vijuan.
Autoritetet organizuan një operacion të mirëfilltë policor, ku në një takim të inskenuar, të dyshuarve iu dorëzua një shumë prej 50 mijë eurosh. Në momentin që ata morën paratë, policia ndërhyri duke i arrestuar, pavarësisht rezistencës së tyre.
Gjatë kontrolleve, u sekuestruan një pistoletë me 11 fishekë, disa telefona celularë dhe para cash, ndërsa shuma e përdorur për operacionin iu kthye biznesmenit.
Paralelisht, u krye kontroll në qelinë e të burgosurit që dyshohet si organizator, ku u gjetën telefona celularë dhe një mjet prerës i improvizuar.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale.
