Aktuale

SHBA do të ofrojë viza “premium”, intervista për 10 ditë nëse paguan ekstra

Shtetet e Bashkuara po përgatiten të nisin një shërbim të ri “premium” për aplikantët e vizave turistike dhe të biznesit, i cili do t’u mundësojë atyre të sigurojnë një takim për intervistë brenda 10 ditësh kundrejt një tarife shtesë prej 750 dollarësh.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Associated Press, programi pilot i Departamentit Amerikan të Shtetit pritet të nisë më 1 korrik dhe të zgjasë deri më 31 dhjetor 2026. Tarifa e re do t’i shtohet pagesës standarde prej 185 dollarësh, duke e çuar koston totale në 935 dollarë për ata që zgjedhin procedurën e përshpejtuar.

Shërbimi është konceptuar si opsional për aplikantët e vizave turistike dhe të biznesit dhe synon të ulë vonesat e gjata të krijuara në shumë ambasada dhe konsullata amerikane në botë. Aplikantët që paguajnë tarifën shtesë do të kenë mundësi të rezervojnë intervistën brenda 10 ditësh nga pagesa, në përfaqësi të përzgjedhura diplomatike.

Autoritetet amerikane theksojnë se pagesa nuk garanton miratimin e vizës. Programi vjen në një kohë kur pritjet për intervista në disa vende zgjasin me muaj, sidomos aty ku nuk aplikohet Programi i Heqjes së Vizave.

Departamenti i Shtetit pritet të publikojë së shpejti listën e ambasadave dhe konsullatave që do ta ofrojnë këtë shërbim, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që nisma të zgjerohet edhe pas fazës pilot, nëse rezulton e suksesshme.

Të Ngjashme