Delegacioni bipartizan i Kongresit amerikan, i kryesuar nga kongresistët Keith Self dhe Suhas Subramanyam, vizitoi sot Luginën e Preshevës, ku u takua me përfaqësues politikë shqiptarë për të diskutuar sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Në fokus të takimeve ishin pasivizimi i adresave, mungesa e integrimit institucional, mosnjohja e diplomave nga Kosova dhe pabarazia në zhvillim ekonomik.
Kongresisti Self deklaroi se ekzistojnë “probleme reale” mes shqiptarëve dhe Serbisë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të pakicave për stabilitetin rajonal. Ndërkaq, Subramanyam kërkoi adresim serioz institucional të çështjeve që prekin shqiptarët në Luginë, duke nënvizuar se Serbia duhet të përballet me këto probleme në rrugën e saj euroatlantike.
Deputeti Shaip Kamberi e cilësoi vizitën si hap të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Kongresistët Self dhe Subramanyam kërkojnë që Serbia t`i adresojë problemet reale te shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Delegacioni bipartizan i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i përbërë nga kongresistët Keith Self dhe Suhas Subramanyam, zhvilloi sot vizitë në Luginën e Preshevës. Kongresistët u takuan me përfaqësues politikë dhe institucionalë shqiptarë për t’u njohur nga afër me pozitën dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Gjatë vizitës, kongresistët amerikanë zhvilluan takime me deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, dhe kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Në fokus të diskutimeve ishin sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, përfshirë pasivizimin e adresave, mungesën e integrimit në institucionet shtetërore të Serbisë, mosnjohjen e diplomave nga Kosova, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe, mungesën e teksteve shkollore dhe pabarazinë në zhvillimin ekonomik e institucional.
Kongresisti Keith Self theksoi rëndësinë e trajtimit të drejtë të pakicave dhe nënvizoi se stabiliteti dhe prosperiteti në rajon janë të lidhura ngushtë me respektimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve pakicë.
“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, ka deklaruar Self për media, pas takimit.
Ndërkaq, kongresisti Suhas Subramanyam potencoi se çështje si arsimi, zhvillimi i pabarabartë dhe pasivizimi i adresave kërkojnë adresim serioz institucional, duke theksuar se Serbia duhet të përballet me këto probleme nëse synon të ecë përpara në rrugën euroatlantike.
Deputeti Shaip Kamberi vlerësoi se vizita e delegacionit amerikan paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe mosbesimin e qytetarëve ndaj këtyre institucioneve.
Gjatë takimeve u shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Luginës së Preshevës gjatë dekadave të fundit, si dhe për angazhimin e kongresistëve amerikanë lidhur me iniciativat në Kongresin amerikan që trajtojnë të drejtat e shqiptarëve në Serbi.
Në këtë kontekst u përmend edhe projektligji i iniciuar nga kongresisti Keith Self në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili kërkon raportim gjithëpërfshirës mbi gjendjen e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Bashkëbiseduesit theksuan se prania dhe mbështetja amerikane mbeten thelbësore për ruajtjen e stabilitetit, avancimin e demokracisë dhe garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët në rajon”, thuhet në faqen e tyre.
