Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Pentagoni ka përgatitur plane për çdo skenar të mundshëm në lidhje me konfliktin me Iranin, duke përfshirë edhe përshkallëzimin apo tërheqjen e forcave amerikane.
Gjatë një seance dëgjimore në Kongres, Hegseth u pyet për të ardhmen e operacioneve ushtarake amerikane dhe mundësinë e tërheqjes së trupave, në rast se Kongresi nuk miraton vazhdimin e misionit.
“Kemi plan për gjithçka. Kemi plan për forcim të pranisë ushtarake nëse është e nevojshme, kemi plan për tërheqje nëse duhet, si dhe për riorganizim të forcave”, tha ai.
Megjithatë, shefi i Pentagonit refuzoi të japë detaje për hapat e ardhshëm, duke theksuar se situata është shumë serioze dhe lidhet me misionin e presidentit Donald Trump për të penguar Iranin që të sigurojë armë bërthamore.
Hegseth foli edhe për buxhetin e ri ushtarak amerikan prej 1.5 trilionë dollarësh, duke thënë se ai pasqyron “urgjencën e momentit” dhe synon të përgatisë ushtrinë amerikane për sfidat aktuale dhe të ardhshme.
Ai reagoi edhe ndaj kritikave për mungesën e municioneve dhe raketave pas operacioneve ushtarake kundër Iranit, duke deklaruar se Pentagoni ka kontroll të plotë mbi rezervat ushtarake.
“E dimë saktësisht çfarë kemi dhe kemi në dispozicion gjithçka që na nevojitet”, u shpreh Hegseth.
