Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

ShBA së shpejti do të ketë qasje në 15 baza ushtarake në Finlandë

Finlanda do të nënshkruajë një marrëveshje të mbrojtjes javën e ardhshme duke i dhënë Shteteve të Bashkuara qasje në 15 baza ushtarake të anëtarit më të ri të NATO-s, tha të premten ministria finlandeze e mbrojtjes.

“Marrëveshja e Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes (DCA) do të nënshkruhet në Uashington” të hënën nga ministri i mbrojtjes Antti Hakkanen dhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha ministria e punëve të jashtme.

Më pas, traktati duhet të miratohet nga parlamenti i vendit nordik.

“Marrëveshja do të forcojë mbrojtjen e Finlandës sepse mundëson praninë dhe trajnimin e forcave amerikane dhe dislokimin e pajisjeve mbrojtëse në territorin e Finlandës”, shtoi ministria e jashtme e Finlandës. “Ajo do të mbështesë gjithashtu zbatimin e masave frenuese dhe mbrojtëse të NATO-s.”

Ministrja e Jashtme Elina Valtonen do të jetë e pranishme në Uashington gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, dhe për të takuar Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.

Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje të ngjashme me Suedinë më 6 dhjetor që i jep Uashingtonit qasje në 17 baza ushtarake.

Shqetësimet e ngritura nga agresioni rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, bënë që Finlanda dhe Suedia të braktisin politikën e mos-angazhimit ushtarak dhe të aplikojnë për anëtarësim në NATO.

Finlanda u bë anëtare e NATO-s në prill, ndërsa Suedia ende është në pritje të miratimit të kërkesës së saj nga anëtarët e NATO-s, Hungaria dhe Turqia./voa