Lajme

Shërbimit Korrektues i shtohen edhe 100 zyrtarë të rinj

Të premten është organizuar ceremonia e diplomimit të 100 zyrtarëve të rinj korrektues të Shërbimit Korrektues të Kosovës, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri.

Në ceremoni mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se të jesh zyrtar korrektues është përgjegjësi e madhe që kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe dinjitetin e personave të privuar nga liria.

“Nga sot ju përfaqësoni shtetin dhe institucionin. Në çdo situatë duhet të veproni me profesionalizëm, ligjshmëri dhe dinjitet. Autoriteti juaj matet me drejtësinë dhe respektin që tregoni në punë. Shërbimi juaj korrigjon, pra është i drejtë; por shërbimi juaj edhe përmirëson, pra është i dobishëm”, tha ai.

Teksa në emër të Qeverisë uroi 100 kadetët, Kurti theksoi se Kosova po zhvillon një shërbim korrektues, i cili gjithnjë e më shumë po fiton vlerësimin dhe respektin e partnerëve ndërkombëtarë.

“Sot, Shërbimi Korrektues i Kosovës është anëtar i organizatave ndërkombëtare, si Organizata Evropiane e Burgut dhe Shërbimeve Korrektuese- EuroPris dhe Asociacioni Ndërkombëtar i Korrektimit dhe Burgjeve – ICPA, dhe gjithnjë e më shumë po fiton besimin e të gjithë partnerëve mbarë globit. Përvojat dhe praktikat e tij po çmohen jo vetëm ndërkombëtarisht, por edhe në rajon, ku gjithnjë e më shumë vende po i marrin ato si model për avancimin e shërbimeve të tyre korrektuese. Kjo na obligon neve bashkë të mbajmë standarde edhe më të larta”, tha ai.

Të Ngjashme