Lajme

Shiroka Pula: Belgjika qëndroi pranë Kosovës në momentet më të vështira të historisë

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Belgjikës në Kosovë, me rastin e shënimit të Ditës së Mbretit të Belgjikës, shkruan “Bota sot”.

Gjatë fjalës së saj para të pranishmëve, ajo e cilësoi Belgjikën si shtet mik, i cili qëndroi pranë Kosovës në momentet më të vështira të historisë së saj.

Shiroka Pula theksoi se populli i Kosovës nuk e harron solidaritetin e Belgjikës gjatë luftës së viteve 1998–1999, si dhe qëndrimin e saj në mbështetje të ndërhyrjes së NATO-s për mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit njerëzor.

Sipas presidentes, ky solidaritet do të mbetet gjithmonë pjesë e kujtesës kolektive të popullit të Kosovës.

Ajo rikujtoi se që nga njohja e pavarësisë së Kosovës, Belgjika ka mbështetur vazhdimisht procesin e shtetndërtimit, zhvillimin demokratik dhe rrugëtimin euroatlantik të vendit.

Presidentja vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve po forcohen vazhdimisht, ndërsa një urë e veçantë lidhëse mes tyre mbetet mërgata e Kosovës në Belgjikë.

Në këtë drejtim, Shiroka Pula theksoi se të dy vendet kanë potencial për të thelluar më tej bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, arsimit, kulturës dhe institucioneve.

Në fund, ajo ritheksoi rëndësinë e partneritetit me Belgjikën, duke theksuar se Kosova e sheh atë si një partnere të rëndësishme në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.

Të Ngjashme