Lajme

Jagxhiu: eKosova 2.0 do të sjellë 400 shërbime të reja brenda dy vjetësh

Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike synon të shtojë edhe 400 shërbime të reja elektronike në platformën eKosova brenda dy vjetësh. Kështu ka bërë të ditur ministri Lulëzon Jagxhiu në një intervistë në RTK Prime, ku ka folur për transformimin digjital, reformën në administratën publike dhe planet për përdorimin e inteligjencës artificiale.

Jagxhiu ka thënë se aktualisht eKosova ofron mbi 330 shërbime elektronike për qytetarët dhe bizneset, ndërsa numri i përdoruesve të regjistruar në këtë platformë ka kaluar 1.2 milionë.

Ai ka bërë të ditur se në qershor është nënshkruar kontrata për zhvillimin e platformës së re, eKosova 2.0, e cila, përveç shërbimeve të reja, do të ketë funksionalitete shtesë, performancë më të mirë dhe siguri të avancuar.

“Parashohim të kemi edhe 400 shërbime të reja elektronike brenda dy viteve të ardhshme, të shtojmë funksionalitete të reja, të kemi performancë më të mirë, ta rrisim edhe më tepër sigurinë e këtij sistemi, të kemi dizajn edhe arkitekturë më të mirë, por ndër të tjera të kemi edhe funksionalitete të cilat bazohen në inteligjencë artificiale”, ka thënë Jagxhiu.

Ministri ka theksuar se digjitalizimi nuk duhet të nënkuptojë vetëm bartjen e procedurave burokratike nga dokumentet fizike në ekran, por edhe thjeshtimin e tyre.

Sipas tij, përmes programit për parandalimin dhe zvogëlimin e barrës administrative, deri më tani janë thjeshtuar mbi 730 shërbime në nivel qendror dhe lokal.

“Është shumë me rëndësi që kur flasim për digjitalizim të shërbimeve, mos ta digjitalizojmë burokracinë. Pra, nuk është ideja që burokracia të bartet nga letra në ekran. Ta shfrytëzojmë transformimin digjital për t’i ndryshuar proceset, për t’i thjeshtuar ato”, ka deklaruar ai.

Jagxhiu ka bërë të ditur se një prej prioriteteve është edhe digjitalizimi i shërbimeve në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit.

Në kuadër të kësaj, ai ka përmendur zhvillimin e portalit të pacientit, shërbimet e të cilit do të jenë të qasshme përmes eKosovës. Po ashtu, ministria është në bisedime me Universitetin e Prishtinës dhe universitete të tjera që shërbimet për studentët të ofrohen përmes kësaj platforme.

Sa i përket funksionimit të brendshëm të institucioneve, ministri ka folur edhe për platformën mbarëqeveritare, e cila synon të ndërlidhë sistemet e financave, burimeve njerëzore, pagave, aseteve dhe menaxhimit të dokumenteve.

Sipas tij, kjo platformë do të mundësojë planifikim dhe monitorim më të mirë të punës së institucioneve, si dhe hartim të politikave të bazuara në të dhëna.

Një tjetër prioritet, sipas Jagxhiut, është interoperabiliteti, përkatësisht ndërlidhja e sistemeve të institucioneve, në mënyrë që qytetarët të mos detyrohen t’i japin vazhdimisht të njëjtat informata institucioneve të ndryshme.

Ai ka bërë të ditur se platforma aktuale e interoperabilitetit ndërlidh mbi 50 institucione dhe më shumë se 69 sisteme të ndryshme të informacionit.

Ministri ka thënë se është duke u hartuar një kornizë nacionale e interoperabilitetit, e cila pritet të përfundojë deri në janar, ndërsa zbatimi i platformës së re është planifikuar të nisë në vitin 2027.

Jagxhiu ka përmendur edhe projektin në sektorin e shëndetësisë, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me mbështetjen e Bankës Botërore. Sipas tij, gjatë tri viteve të ardhshme pritet të ndërtohen 14 komponentë të ekosistemit të informacionit shëndetësor.

Ndërkaq, në fushën e infrastrukturës digjitale, ai ka bërë të ditur se janë duke u përgatitur ndryshime për modernizimin e qendrave të të dhënave përmes teknologjisë cloud, si dhe për ndërtimin e një arkitekture të re të rrjetit qeveritar.

Në intervistë, Jagxhiu ka theksuar se transformimi digjital synon jo vetëm lehtësimin e qasjes së qytetarëve në shërbime, por edhe rritjen e efikasitetit dhe transparencës së administratës publike, si dhe kontributin në zhvillimin ekonomik të vendit.

Të Ngjashme