Lajme

​Shiroka-Pula pranon urime nga presidentët e Finlandës, Sllovenisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Presidentja Justina Shiroka-Pula, ka pranuar urime me rastin e zgjedhjes në detyrë nga homologu finlandez Alexander Stubb, homologia sllovene Natasha Pirc-Musar, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe ajo e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Alexander Stubb, i ka uruar presidentes Shiroka- Pula sukses në ushtrimin e detyrës, duke shprehur gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit në mbështetje të paqes, stabilitetit, demokracisë dhe integrimit evropian.

Në telegramin e urimit, presidentja sllovene Natasha Pirc-Musar, ka shprehur bindjen se marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë të forcohen. Ajo ka riafirmuar mbështetjen e vendit të saj për Kosovën në avancimin e parimeve demokratike, bashkëpunimit rajonal, forcimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit, si dhe ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka uruar presidenten Shiroka- Pula për zgjedhjen në këtë detyrë, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova do të qëndrojnë bashkë përballë sfidave dhe në rrugën drejt së ardhmes evropiane.

Ndërkaq presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, i ka përcjellë urimet e saj presidentes Shiroka Pula, duke shprehur besimin se udhëheqja e saj do të kontribuojë në forcimin e dialogut dhe kohezionit shoqëror.

Ajo ka vlerësuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të bazuara në mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, si dhe ka shprehur gatishmërinë për t’i dhënë shtysë të re bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor ndërmjet dy shteteve.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh të martën nga Kuvendi i Kosovës presidente e re me 81 vota, në raundin e parë. Ajo është presidentja e tretë femër dhe e shtata që mban këtë post.

Të Ngjashme