Refluksi është kthimi mbrapsht i acidit në ezofag ose në fyt, i cili mund të përkeqësohet në mbrëmje kur personi shtrihet në shtrat.
Simptomat kryesore janë ndjesia e djegies në gjoks dhe shija acidike në gojë, gjë që ndikon ndjeshëm në cilësinë e gjumit. Për më tepër, me kalimin e kohës, kjo mund të ndikojë në shëndetin e ezofagut.
Ai shfaqet te njerëzit që vuajnë nga probleme me refluksin, duhanpirësit, personat me obezitet apo individët me gjendje të caktuara mjekësore, sikurse sëmundja e refluksit gastroezofageal GERD.
Është e rëndësishme të dihet se forma e natës është shpesh më e rëndë. Në bazën e ezofagut ndodhet një muskul që hapet gjatë gëlltitjes dhe më pas mbyllet për ta mbajtur përmbajtjen brenda stomakut. Refluksi ndodh kur ky muskul relaksohet në momentin e gabuar, duke lejuar që acidi i stomakut të kthehet mbrapsht në ezofag.
Për më tepër, gëlltitja ndodh më rrallë gjatë natës, ndërsa pështyma dhe gëlltitja e shpeshtë ndihmojnë në kthimin e acidit në stomak. Një shkak tjetër i refluksit gjatë natës është rënia për të fjetur menjëherë pas ngrënies.
Refluksi është gjithashtu më i zakonshëm te të rriturit mbi 40-vjeç dhe njerëzit që konsumojnë alkool. Medikamente të caktuara gjithashtu mund të kontribuojnë në shfaqjen e refluksit dhe GERD-it.
Simptomat më të zakonshme përfshijnë: djegie në gjoks (urth),kthim mbrapsht të ushqimit ose acidit në fyt dhe shije të thartë ose të hidhur në gojë, dhimbje në pjesën e sipërme të barkut ose në gjoks, ndjesi djegieje në gjoks, vështirësi në gëlltitje dhe ndjesi sikur keni një gungë në fyt, të përziera.
Mund të shfaqen gjithashtu kollë kronike, laringit, astmë dhe pagjumësi. Si pasojë e refluksit gjatë natës, disa njerëz mund të zgjohen të nesërmen me ngjirje zëri ose dhimbje fyti.
Refluksi gjatë natës mund të menaxhohet thjesht duke ndryshuar zakonet, si lënia e duhanit, shmangia e ngrënies para gjumit, shmangia e ushqimeve të yndyrshme, të skuqura dhe tepër pikante, domateve, alkoolit apo fjetjen me kokën të ngritur mbi një jastëk.
Për individët që vuajnë nga obeziteti, humbja e peshës së tepërt mund të ndihmojë. Nëse këto metoda nuk ndihmojnë, personi duhet të kërkojë këshillë mjekësore.
Medikamentet ofrojnë lehtësim duke reduktuar prodhimin e acidit për disa orë ose duke neutralizuar acidin e stomakut.
Në raste të rënda, ose kur medikamentet nuk mjaftojnë, mund të jetë e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.
