Aktuale

Shkatërrohet rrjeti italo-shqiptar i trafikut të drogës në Itali, arrestohen 8 shqiptarë

Tetë shtetas shqiptarë janë mes 12 personave të goditur nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit “Shpresa”, i cili çoi në shkatërrimin e një organizate italo-shqiptare të dyshuar për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike në Gjenovë.

Karabinierët e njësisë operative të Gjenova Centro zhvilluan operacionin gjatë natës së 3 qershorit. Me urdhër të Gjykatës së Gjenovës, të lëshuar me kërkesë të Prokurorisë Distriktuale, 11 persona u vendosën në paraburgim, ndërsa ndaj një personi të dymbëdhjetë u caktua masa e detyrimit për qëndrim në vendbanim. Të dyshuarit përfshijnë tetë shtetas shqiptarë, një person me origjinë kubane dhe tre shtetas italianë.

Hetimi, i nisur në prill 2025, u kodua me emrin “Shpresa”, bazuar në një term të përdorur nga anëtarët e grupit në komunikimet e tyre. Sipas hetuesve, ata përdornin fjalën shqipe “spirancë” për të porositur dhe transportuar sasi kokaine.

Sipas autoriteteve, kokaina, hashashi dhe marijuana siguroheshin nga qendrat kryesore të furnizimit në Italinë Veriore dhe më pas dërgoheshin në Gjenovë. Organizata kishte një strukturë të mirëpërcaktuar hierarkike: dy shtetas shqiptarë drejtonin aktivitetin, menaxhonin furnizimet dhe ndanin detyrat, ndërsa pjesëtarët e tjerë merreshin me ruajtjen, paketimin dhe shpërndarjen e drogës në zona të ndryshme të qytetit.

Gjatë hetimeve, karabinierët dokumentuan rreth 10 mijë shitje droge ndaj klientëve të rregullt dhe të rastësishëm, në një aktivitet që zhvillohej pa ndërprerje gjatë 24 orëve. Për t’iu shmangur kontrolleve, grupi i fshihte lëndët narkotike në vende të ndryshme brenda banesave, përfshirë frigoriferë, jastëkë divanësh dhe nën tavolina kuzhine.

Përgjimet telefonike dhe hetimet financiare treguan se organizata funksiononte si një strukturë kriminale e organizuar. Sipas vlerësimeve të hetuesve, një kilogram kokainë blihej për rreth 22 mijë euro dhe shitej me pakicë duke gjeneruar të ardhura deri në 80 mijë euro. Dy drejtuesit kryesorë dyshohet se fitonin rreth 30 mijë euro secili në muaj, ndërsa shpërndarësit paguheshin me paga fikse mujore nga 3 mijë deri në 6 mijë euro.

Autoritetet italiane theksojnë se grupi vazhdonte aktivitetin edhe pas arrestimeve të para. Gjatë periudhës së hetimit u kryen 14 arrestime në flagrancë dhe u sekuestruan 32 kilogramë lëndë narkotike. Organizata zëvendësonte me shpejtësi anëtarët e arrestuar, ndryshonte vendet ku fshihte drogën dhe mbulonte shpenzimet ligjore të personave të ndaluar.

Sipas hetuesve, anëtarët e grupit përdornin automjete me qira për të vështirësuar identifikimin e tyre, telefona të dedikuar për aktivitetin kriminal dhe disa prona në zona të ndryshme të Gjenovës, veçanërisht në rrugët Benedetto da Porto, Monte Nero dhe Campomorone, ku ruanin lëndët narkotike.

Shkatërrohet rrjeti italo-shqiptar i trafikut të drogës në

Ndër sekuestrimet më të rëndësishme të kryera gjatë hetimeve janë:

6 maj 2025, në Gjenovë: mbi 1 kilogram kokainë;
2 qershor 2025, në Gjenovë: 1.15 kilogramë kokainë;
25 qershor 2025, në Vigevano: rreth 22 kilogramë hashash dhe 4.7 kilogramë kokainë;
11 korrik 2025, në Gjenovë: 176 gramë kokainë dhe rreth 700 gramë hashash.

Gjatë operacionit përfundimtar, karabinierët kontrolluan gjithashtu bazat e përdorura nga organizata dhe sekuestruan 46 gramë kokainë, 210 gramë hashash, peshore precize dhe 15 mijë euro para në dorë. Kjo shumë iu shtua afro 15 mijë eurove të sekuestruara më herët gjatë hetimeve.

Komanda Provinciale e Karabinierëve të Gjenovës deklaroi se operacioni përbën një goditje të rëndësishme ndaj trafikut të drogës në qytet dhe është pjesë e përpjekjeve më të gjera për luftimin e kriminalitetit të organizuar dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike./ Përshtati “Pamfleti” nga “GenovaToday”.

Të Ngjashme