Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë gjatë natës tregun e ri të fruta-perimeve në lagjen “Xhevdet Nepravishta” në Lushnjë, pranë stadiumit të qytetit, duke e shkrumbuar plotësisht atë.
Tregu, i ndërtuar tre vite më parë nga bashkia, ishte kthyer në një pikë të rëndësishme tregtimi për banorët e zonës, ku çdo ditë ushtronin aktivitetin e tyre mbi 50 tregtarë dhe punonjës.
Sipas informacioneve paraprake mësuar nga gazetarja Anila Sefa, flakët kanë rënë rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm. Për pasojë, i gjithë malli i lënë brenda nga tregtarët është djegur dhe dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por dyshohet se gjithçka ka nisur nga një shkëndijë elektrike në sistemin e ndriçimit gjatë natës.
Forcat zjarrfikëse ndërhynë për neutralizimin e flakëve, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes./rtsh.al/
