Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë që u shënua mbrëmjen e sotme në Markatomaj të Lezhës, ku një bombol gazi ka shpërthyer në një banesë, ku si pasojë 6 anëtarët e familjes kanë mbetur të lënduar.
Mësohet se bëhet fjalë për anëtarët e familjes Kola, të cilat janë transportuar menjëherë për në spital. Raportohet se kryefamiljari Saimir Kola dhe dy fëmijët e tij ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kryefamiljari është transportuar menjëherë për në Spitalin e Traumës, në Tiranë, pasi ka marrë plagë të mëdha në trup dhe kërkon mjekim të specializuar. Ngjarja bëhet më tronditëse, pasi familja Kola kishin dasmë ditën e nesërme, pasi do të martonin vajzën e tyre.
Po ashtu nga shpërthimi i fortë, i cili u dëgjua në të gjithë zonën, në banesën dy katëshe janë shkaktuar dëme të shumta materiale.
Ndërkohë policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton shkaqet e ngjarjes së rëndë që tronditi lezhën mbrëmjen e kësaj të shtune.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 20:30, në një banesë në pronësi të shtetasit S. K., 40 vjeç, në fshatin Markatomaj, Lezhë, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.
Si pasojë e shpërthimit, kanë marrë dëmtime dy fëmijë të mitur, 10 dhe 13 vjeç, pronari i banesës, shtetasi S. K., 40 vjeç, si dhe shtetaset L. U., 64 vjeçe, L. B., 70 vjeçe dhe V. Gj., 58 vjeçe.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndihmuar në transportimin e të dëmtuarve në Spitalin Rajonal të Lezhës.
Shtetasi S. K. është transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për trajtim më të specializuar, ndërsa personat e tjerë të dëmtuar ndodhen në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po marrin mjekim dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
